Organizata e Kombeve të Bashkuara po ndjek “me shumë vëmendje” situatën mes Indisë dhe Pakistanit, deklaroi zëdhënësi Stephane Dujarric.
“Sigurisht, ne vazhdojmë ta ndjekim situatën me shqetësim të thellë,” tha Dujarric para gazetarëve.
Ai përsëriti dënimin e sulmit të së martës në Jammu dhe Kashmir, ku mbetën të vrarë 26 persona.
“U bëjmë sërish thirrje qeverisë së Indisë dhe asaj të Pakistanit të tregojnë përmbajtje maksimale për të mos lejuar përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës,” theksoi Dujarric.
Tensionet mes dy fqinjëve bërthamorë u rritën pasi persona të armatosur të paidentifikuar vranë 26 njerëz në Pahalgam, përfshirë 25 turistë, shumica indianë, dhe një banor vendas.
India e cilësoi sulmin si një “akt terrorist” me lidhje “përtej kufirit”, duke fajësuar Pakistanin për mbështetje të drejtpërdrejtë.
Islamabadi, në anën tjetër, u distancua nga sulmi, duke shprehur “shqetësim” dhe duke shprehur ngushëllime për familjet e viktimave.
Pas sulmit, New Delhi pezulloi në mënyrë të njëanshme Traktatin e Ujërave të Indusit, një marrëveshje historike që rregullon ndarjen e ujërave të gjashtë lumenjve të pellgut të Indusit, nën ndërmjetësimin e Bankës Botërore, e nënshkruar në shtator 1960.
Pakistani reagoi ashpër të enjten, duke deklaruar se nuk ka asnjë dispozitë që lejon pezullimin e njëanshëm të traktatit dhe paralajmëroi se çdo përpjekje nga India për të ndalur ose devijuar rrjedhën e ujit drejt Pakistanit do të konsiderohej si një “akt lufte”.
Të dyja palët pezulluan gjithashtu vizat për qytetarët e njëra-tjetrës dhe dëbuan këshilltarët ushtarakë, ndërsa Islamabadi mbylli hapësirën ajrore për linjat ajrore indiane.
