Raportuesja Speciale e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat Ushqimore, Hilal Elver thotë se uria dhe sëmundjet po shkaktojnë më shumë vdekje se sa përleshjet në rajonet e luftës, raporton Anadolu Agency (AA).
Elver në një konferencë për media në Qendrën e Përgjithshme të OKB-së njoftoi për raportin vjetor të prezantuar në Këshillin e Përgjithshëm të OKB-së.
Ajo tha se bota këtë vit po ballafaqohet me fatkeqësinë më të madhe njerëzore në historinë e OKB-së. Elver thotë se 20 milionë persona në Jemen, Somali, Sudanin Jugor, Nigeri dhe Siri po përballen me urinë.
“Uria nuk duhet të përdoret si armë luftarake”
Raportuesja e OKB-së vuri në dukje se 815 milionë persona në botë po përballen me ushqim jo të mjaftueshëm dhe se shtete të shumta nuk i përmbushin përgjegjësitë ligjore.
“Uria dhe sëmundjet po shkaktojnë më shumë vdekje se sa përleshjet në rajonet e luftës. Ndalimi i ushqimit, ndihmave dhe prodhimit të ushqimit është krim lufte”, thotë Elver.
Sipas saj, ushqyerja është e drejtë e të gjithë njerëzve në mënyrë të pakushtëzuar. Elver thekson se uria nuk duhet të përdoret si armë lufte dhe se ata të cilët e përdorin në këtë mënyrë duhet të dërgohen në Gjykatën Ndërkombëtare Penale.
Ajo gjithashtu foli për krizën njerëzore në Arakan, ku shprehu se kërcënimi nga uria ka arritur në nivele serioze dhe paralajmëroi se gjendja do të përkeqësohet edhe më shumë në qoftë se bashkësia ndërkombëtare nuk merr masa.
Elver i bëri thirrje Qeverisë së Mianmarit që të lejojë hyrjen e Komisionit të pavarur hetues të OKB-së në Arakan.