OKB: Përderisa po afrohet dimri, ushqimi në Afganistan po mbaron

Zyra e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA) ka paralajmëruar se ushqimi në Afganistan po mbaron dhe se shërbimet thelbësore po përballen me kolaps, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Shërbimet themelore në Afganistan po shemben, ndërsa ushqimi dhe ndihmat e tjera për shpëtimin e jetëve pothuajse po mbarojnë”, tha Jens Laerke, zëdhënës i OCHA-s, në një konferencë për media në Gjenevë.

Ai përsëriti paralajmërimin e sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, për një katastrofë humanitare në Afganistan.

Laerke njoftoi se këtë vit deri më tani afër 8 milionë njerëz në Afganistan kanë marrë ndihmë, por theksoi se shumë më tepër janë në nevojë të ndihmës që kur talebanët morën kontrollin e vendit.

Ai tha se OKB-ja shpreson të mbledhë mbi 600 milionë dollarë në thirrjen e saj për Afganistanin pasi Guterres të hënën e ardhshme do të hap një takim humanitar të nivelit të lartë ministror në Gjenevë.

“Thirrja do të ofrojë ndihmë kritike ushqimore dhe të jetesës për pothuajse 11 milionë njerëz dhe shërbime thelbësore shëndetësore për pothuajse 3.4 milionë njerëz”, u shpreh Laerke.

Sipas tij, kjo do të sigurojë një trajtim për kequshqyerjen akute për mbi 1 milion fëmijë dhe gra, si dhe ndërhyrje sanitare dhe higjienike për afër 2.5 milionë njerëz.

Këtë vit në Afganistan janë regjistruar 600 mijë persona të zhvendosur

Zëdhënësi i Agjencisë së OKB-së për Refugjatët (UNHCR), Babar Baloch, tha se Afganistani ka një problem masiv të zhvendosjes së brendshme.

“Ne po themi se rreth 600 mijë ose më shumë njerëz janë zhvendosur që nga fillimi i vitit 2021”, tha Baloch, duke shtuar se zhvendosja e përgjithshme e brendshme në këtë vend pa dalje në det është rreth 3.5 milionë.

Baloch, i cili jeton në Pakistanin pranë kufirit afgan, apeloi se nuk duhet të lejohet që Afganistani të shndërrohet në një katastrofë humanitare dhe shtoi se kjo është arsyeja pse bota duhet të veprojë tani.

Drejtori i urgjencave i Organizatës së Ushqimit dhe Bujqësisë, Rein Paulsen, shpjegoi se 70 për qind e të gjithë afganëve jetojnë në zona rurale dhe se bujqësia po nxjerr 25,5 për qind të prodhimit bruto të brendshëm (PBB). Ajo shtoi se ky sektor punëson drejtpërdrejtë 45 për qind të fuqisë punëtore dhe siguron përfitime jetese për 80 për qind të popullsisë.

“Dritarja e mundësisë për të ndihmuar fermerët në sezonin e grurit dimëror, që po afrohet me shpejtësi, është i ngushtë dhe i kufizuar. Farërat nuk mund të presin. Fermerët nuk mund të presin. Ne tani duhet të rrisim mbështetjen para se të ngushtohet më tej”, tha Paulsen.

Sipas tij, dështimi për ta bërë këtë në një kohë të afërt do të çojë në uri dhe zhvendosje, si dhe do të shkaktojë efekte shkatërruese afatgjate në jetesën e familjeve rurale.

Ai tha se përveç grurit dimëror, i gjithë sektori bujqësor i Afganistanit po përballet me një thatësirë të rëndë dhe të vazhdueshme. Siç thekson ai, rreth 7.3 milionë njerëz që mbështeten në bujqësi dhe blegtori tashmë janë prekur rëndë.

“Thatësira tani ka prekur 25 nga 34 provinca”, u shpreh ai.