Kombet e Bashkuara (OKB) kanë paralajmëruar se bota është në prag të krizës më të rëndë ndonjëherë ushqimore, energjetike dhe ekonomike për shkak të luftës në Ukrainë.
OKB ka publikuar një raport të ri mbi ndikimin në sistemet ushqimore, energjetike dhe financiare të luftës së nisur nga Rusia kundër Ukrainës më 24 shkurt.
Sipas raportit, 1.6 miliardë njerëz në 94 vende të botës po përballen me efektet e luftës në Ukrainë dhe po luftojnë për të përballuar rritjen e çmimeve të ushqimit dhe naftës.
Raporti thekson se për shkak të luftës në Ukrainë, bota është në prag të krizës më të rëndë ushqimore, energjetike dhe ekonomike që ka ndodhur ndonjëherë.
Duke folur para gazetarëve në selinë e OKB-së në lidhje me raportin, Sekretari i Përgjithshëm, Antonio Guterres paralajmëroi duke thënë: “Ndikimi i luftës në sigurinë ushqimore, energji dhe financë është sistematik, i rëndë dhe përshpejtues. Lufta sjell uri dhe varfëri të paparë, kaos social dhe ekonomik.”
Ai tha se asnjë vend nuk mund t’i shpëtojë efekteve të kësaj lufte, dhe shtoi se 47 milionë njerëz të tjerë mund të përballen me pasiguri ushqimore këtë vit për shkak të luftës.
Guterres tha se gruri ukrainas dhe plehu rus duhet të kthehen në tregjet globale për të thyer rrethin vicioz të rritjes së çmimeve të ushqimit dhe naftës dhe për të sjellë stabilitet në tregjet e ushqimit dhe energjisë. Ai bëri thirrje për eksport të sigurt dhe të papenguar të drithërave ukrainase përmes Detit të Zi.
Rebeca Grynspan, Sekretare e Përgjithshme e Konferencës së OKB-së për Tregtinë dhe Zhvillimin (UNCTAD), e cila kohët e fundit zhvilloi bisedime në Moskë, kryeqytetin e Rusisë, për eksportin e grurit ukrainas dhe plehut rus në botë, mbi eksportin e drithit ukrainas në bota pas vizitës së ministrit të Jashtëm rus Sergej Lavrov në Turqi, tha: “Gjithçka që mund të them në këtë fazë është se bisedimet (në Turqi) janë konstruktive, nuk mund të them më shumë… Gjëja më e rëndësishme është ndalimi i luftës, apo jo?” /trt