OKB: Palët libiane u dakorduan për armëpushim të përhershëm

Në raundin e katërt të takimeve të Komitetit të Përbashkët Ushtarak 5 + 5 në Gjenevë, Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) njoftoi se palët libiane arritën një marrëveshje për armëpushim të përhershëm në gjithë vendin, raporton Anadolu Agency (AA).

E Dërguara Speciale e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Stephanie Williams, u adresua në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes në Zyrën e OKB-së në Gjenevë. Duke folur në gjuhën arabe në ceremoni, ku palët libiane ishin gjithashtu të pranishme, Williams shprehu kënaqësi për arritjen e marrëveshjes.

Palët libiane gjithashtu duartrokitën vendimin pas nënshkrimit të teksteve të marrëveshjes.

Ndryshe, në një konferencë shtypi të mërkurën, Williams kishte njoftuar se delegacioni i qeverisë libiane dhe ai i gjeneralit puçist Khalifa Haftar (LNA), të cilët morën pjesë në takimet e Komisionit 5+5, kishin rënë dakord për disa çështje, përfshirë hapjen e rrugëve tokësore dhe ajrore që lidhin të gjitha rajonet në Libi.

Williams gjithashtu kishte theksuar se ishte “mjaft optimiste” në lidhje me palët dakordimin midis palëve për armëpushim të përhershëm.

Ndërkohë, Zyra e OKB-së në Gjenevë në një deklaratë në median sociale e ka përshkruar marrëveshjen si “historike”.

Siç u njoftua, marrëveshja e armëpushimit do të hyjë në fuqi menjëherë.