Sipas Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO) dhe Fondit të Fëmijëve të Kombeve të Bashkuara (UNICEF), numri i fëmijëve në punë është rritur në 160 milionë në të gjithë botën, transmeton Anadolu Agency (AA).
Raporti i lëshuar në prag të 12 qershorit – Ditës Botërore kundër Punës së Fëmijëve, tregoi një shifër në rritje prej 8.4 për qind në katër vitet e fundit.
“Përparimi për t’i dhënë fund punës së fëmijëve ka ngecur për herë të parë në 20 vite, duke përmbysur trendin e mëparshëm në rënie që regjistroi rënie të punës së fëmijëve në 94 milionë midis viteve 2000 dhe 2016”, thekson raporti.
Duke treguar rritje të ndjeshme të numrit të fëmijëve në punë të moshës 5 deri 11-vjeç, raporti tha se 79 milionë fëmijë të moshës prej 5 deri në 17-vjeç janë në punë të rrezikshme, punë që mund të dëmtojë shëndetin, sigurinë ose moralin e tyre, shifër e cila përfshin mbi 6.5 milionë fëmijë që nga viti 2016.
Drejtori i përgjithshëm i organizatës ILO, Guy Ryder tha se “kjo është një kohë për angazhim të ri dhe energji për të marrë kthesën dhe për të thyer ciklin e varfërisë dhe punës së fëmijëve”.
Raporti paralajmëroi se pandemia e koronavirusit të ri (COVID-19) vendosi 9 milionë fëmijë të tjerë në rrezik për t’u detyruar në punë deri në fund të vitit 2022.
Sipas një modeli simulimi, kjo shifër mund të arrijë 46 milionë nëse nuk kanë qasje në mbulimin kritik të mbrojtjes sociale.
Drejtoresha ekzekutive e UNICEF-it, Henrietta Fore u bëri thirrje qeverive dhe bankave ndërkombëtare të zhvillimit që t’u japin përparësi investimeve në programe që mund t’i largojnë fëmijët nga fuqia punëtore dhe të kthehen në shkollë si dhe programe të mbrojtjes sociale që mund të ndihmojnë familjet të shmangin bërjen e kësaj zgjedhjeje në radhë të parë. /aa