OKB: Nuk ka gjasa të garantojmë siguri për vizitën e presidentit Abbas në Ga’za

Michele Zaccheo

Zëdhënësi i Kombeve të Bashkuara (OKB), Michele Zaccheo, ka deklaruar se duke marrë parasysh situatën në Rripin e Gazës, nuk ka gjasa që OKB-ja të garantojë siguri për presidentin palestinez, Mahmoud Abbas, që të vizitojë enklavën e rrethuar palestineze.

I pyetur nga Anadolu lidhur me njoftimin e presidentit Abbas në një fjalim në parlamentin turk se ai planifikon të vizitojë Rripin e Gazës, territorin e Palestinës që ka qenë nën bombardime të rënda nga Izraeli që nga 7 tetori i vitit të kaluar, Zaccheo shprehu skepticizëm.

“Ideja që OKB-ja mund të ofrojë siguri nuk është ndoshta aq realiste në këtë fazë”, tha Zaccheo, duke përmendur raportet që marrin çdo ditë nga kolegët humanitarë për situatën e paqëndrueshme të sigurisë në Gaza.

Duke treguar përgjegjësinë e Izraelit, ai tha se: “Mendoj se anëtarët e Këshillit të Sigurimit dhe familja e OKB-së janë të gjithë shumë të vetëdijshëm për problemin me sigurinë në Gaza dhe se përgjegjësia kryesore për garantimin e sigurisë në territoret e pushtuara bie mbi fuqitë pushtuese”.

Por Zaccheo tha gjithashtu se ofrimi i sigurisë, nëse do të ishte e mundur, ndoshta nuk do të kërkonte një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Gjatë një seance të jashtëzakonshme dje në parlamentin turk për Palestinën, presidenti Abbas tha se “Unë njoftoj para jush dhe botës se kam vendosur të shkoj në Rripin e Gazës me të gjithë udhëheqësit palestinezë”.

Presidenti palestinez i kërkoi Këshillit të Sigurimit të OKB-së të sigurojë qasjen e tyre në enklavën e rrethuar palestineze.

Ofensiva e vazhdueshme izraelite kundër Rripit të Gazës që nga 8 tetori ka vrarë të paktën 40 mijë palestinezë. Mbi 10 muaj nga lufta izraelite, pjesë të mëdha të Gazës mbeten në gërmadha mes një bllokade gjymtuese të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.

Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila e urdhëroi Tel Avivin të ndalojë menjëherë operacionin ushtarak në qytetin jugor Rafah, ku më shumë se 1 milion palestinezë kanë kërkuar strehim nga lufta përpara se qyteti të pushtohej më 6 maj.