Kombet e Bashkuara (OKB) njoftuan se në pandeminë e koronavirusit të ri (COVID-19) të paktën një miliard nxënës kanë mbetur larg arsimit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, në një video-mesazh të publikuar theksoi se për shkak të pandemisë në mbarë botën janë privuar nga arsimi parashkollor mbi 40 milionë fëmijë.
Guterres bëri të ditur se edhe para pandemisë në arsim ka patur krizë ku më shumë se 250 milionë fëmijë në moshë shkollore nuk kanë mundur të shkojnë në shkollë.
Pasi tërhoqi vëmendjen se që nga mesi i korrikut të paktën një miliard nxënës nga të gjitha grupmoshat kanë mbetur larg arsimit me mbylljen e shkollave për shkak të COVID-19, Guterres deklaroi që bota përballet me një katastrofë që dëmton potencialin njerëzor, dëmton zhvillimet e arritura për dhjetëra vite, rrit pabarazitë e vendosura dhe ndikon brezat.
“Ne ndodhemi në një pikë kthese për fëmijët dhe të rinjtë e botës. Vendimet që qeveritë marrin aktualisht me aleatët do të kenë efekte të përhershme tek qindra miliona të rinj dhe mbi zhvillimin e vendeve në dhjetëra vitet e ardhshme”, tha Guterres.
Sekretari Guterres bëri thirrje për rihapjen e shkollave me vendosjen e kontrollit në përhapjen lokale të virusit dhe kërkoi nga qeveritë që t‘i japin përparësi arsimit në politikat financiare.