Një e treta e popullsisë së Sudanit aktualisht po përballet me një krizë ushqimore për shkak të ndikimit shtesë të ndryshimeve klimatike, trazirave politike dhe rritjes së çmimeve globale të ushqimeve, tha sot Agjencia e Ushqimit e OKB-së.
Një raport i përbashkët i Programit Botëror të Ushqimit dhe Organizatës së Ushqimit dhe Bujqësisë thotë se 15 milionë njerëz nuk kanë burime të sigurta ushqimore në të 18 provincat e këtij vendi të Afrikës Lindore, transmeton portal arbresh.info
“Efektet e kombinuara të konfliktit, goditjeve klimatike, krizave ekonomike dhe politike, kostove në rritje dhe të korrave të dobëta po shtyjnë miliona njerëz drejt varfërisë dhe urisë”, thuhet në raport.
Kushtet e jetesës janë përkeqësuar me shpejtësi në Sudan, pasi grusht shteti ushtarak gjatë muajit tetor dërgoi ekonominë tashmë të brishtë në një rënie më thellë, ndërsa pushti rus në Ukrainë e ka përkeqësuar edhe më keq krizën.
Nivelet e financimit nuk plotësojnë nevojat humanitare, ku 40 për qind e popullsisë pritet të jetë pa një burim të sigurt ushqimor deri në shtator.
“Ne duhet të veprojmë menjëherë për të shmangur rritjen e niveleve të urisë dhe për të shpëtuar jetën e atyre që tashmë janë prekur”, thuhet në raport.
Marrja e kontrollit ushtarak më 25 tetor ndërpreu tranzicionin e Sudanit drejt sundimit demokratik, i cili filloi pas tre dekadash represioni dhe izolimi ndërkombëtar nën presidentin autokratik Omar al-Bashir.
Që nga tetori i vitit të kaluar, në Sudan janë mbajtur protesta për të kërkuar tërheqjen e ushtrisë.
Raporti thekson se qyteti Kreinik në Darfurin Perëndimor, ku konfliktet fisnore morën më shumë se 200 jetë në prill, është më i godituri, ku më shumë se 90 përqind e qytetarëve përballen me urinë.