OKB: Në vitin 2016 në Mesdhe humbën jetën mbi 5.000 persona

Foto ilustruese

Në dy fatkeqësi në Detin Mesdhe ndërmjet Libisë dhe Italisë, dje humbën jetën afro 100 migrantë dhe me këtë numri i të vdekurve në Mesdhe këtë vit kaloi shifrën prej 5.000 personash, konfirmuan nga Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB), raporton Anadolu Agency (AA).

Zëdhënësi i UNHCR-së William Spindler, në një konferencë për media në Gjenevë, ka konfirmuar se dje humbën jetën të paktën 100 emigrantë në dy fatkeqësi në Detin Mesdhe, më saktësisht, në mes të Libisë dhe Italisë.

“Me fatkeqësinë e djeshme numri i migrantëve të vdekur në Detin Mesdhe, këtë vit ka kaluar shifrën prej pesë mijë njerëz. Për emigrantët që përpiqeshin të arrijnë në Evropë, 2016-ta ishte më vdekjeprurës deri më tani”, tha Spindler.

Ai theksoi se gjatë vitit 2016, në ujërat e Detit Mesdhe në baza ditore mesatarisht jetën e kanë humbur 14 persona.

Sipas të dhënave të OKB-së, këtë vit 358 mijë migrantë kanë arritur ta kalojnë Detin Mesdhe dhe të hyjnë në Evropë.