OKB: Muslimanët e Arakanit po i nënshtrohen gjenocidit

Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara (OKB) për të Drejtat e Njeriut, Zeid bin Ra’ad al-Hussein, ka thënë se posedon prova të fuqishme që dëshmojnë se nga 25 gushti në Mianmar është duke u ushtruar gjenocid ndaj muslimanëve të Arakanit, raporton Anadolu Agency (AA).

Në seancën e 37-të të Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut, al-Hussein shprehu shqetësim për 900 mijë refugjatët e Arakanit të cilët janë detyruar të strehohen në Bangladesh, si dhe për komunitetin musliman që ka mbetur në Mianmar.

“Zyra ime beson se pastrimi etnik në provincën e Arakanit është duke vazhduar ende”, thotë al-Hussein.

Al-Hussein poashtu paralajmëroi se qeveria e Mianmarit po përpiqet që t’i shkatërrojë provat e “krimeve të mundshme ndërkombëtare”, përfshirë edhe “krimet e ushtruara ndaj njerëzimit” në mënyrë të vetëdijshme, duke kaluar me bulldozerë mbi varrezat masive.

“Viktimat raportuan se muslimanët e Arakanit i’u janë nënshtruar vrasjeve, përdhunimit, torturave dhe grabitjeve dhe se me qëllim janë detyruar të qëndrojnë të uritur, duke penguar qasjen në burimet ushqimore. Ashtu siç është i vetëdijshëm edhe ky Këshill, zyra ime ka dyshime të fuqishme se në provincën e Arakanit që nga muaji gusht e deri më tani po realizohen akte të gjenocidit”, deklaroi al-Hussein.

Ai i bërë thirrje Këshillit për të Drejtat e Njeriut për krijimin e një “mekanizmi të ri të pavarur dhe të paanshëm”, për zbulimin dhe gjykimin e përgjegjësve të krimeve të kryera ndaj muslimanëve të Arakanit në Mianmar.

Spastrimi etnik ndaj muslimanëve të Arakanit

Sipas të dhënave të fundit të OKB-së, që nga 25 gushti i vitit 2017, rreth 700 mijë muslimanë të Arakanit kanë ikur në Bangladesh si pasojë e dhunës në Mianmar.

Imazhet satelitore të organizatave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut tregojnë se më shumë se 350 fshatra muslimane janë djegur në atë zonë.