OKB: Më shumë se 900 milion ton ushqime hidhen çdo vit

Në një kohë që një pjesë e madhe e globit ende vuan nga varfëria ekstreme dhe mungesa e theksuar e ushqimit një studim i fundit i Programit të  Kombeve të Bashkuara për Mjedisin (UNEP), ka arritur në përfundimin se mbi 930 milion ton ushqime në 2019 janë hedhur.

Matjet përfshinin artikuj të ngrënshëm dhe sende të pangrënshme. Kjo sasi do të mjaftonte për të mbushur miliona kamionë 40 tonësh për t’u shpërndarë në të gjithë globin shtatë herë.

Raporti i Kombeve të Bashkuara thekson që një e pesta e ushqimit të disponueshëm për konsumatorët – përmes dyqaneve, restoranteve dhe shtëpive tona – hidhet direkt në kosh.

Disa ushqime humbin në ferma dhe në zinxhirin e furnizimit, duke treguar edhe njëherë se një e treta e të gjithë ushqimit nuk hahet kurrë.

Ekspertët morën në studim 54 vende, duke përfshirë materiale ende të ngrënshme dhe gjëra që nuk i hamë të tilla si kockat, lëkurat e frutave. Pavarësisht nga niveli i të ardhurave kombëtare, u zbulua se çdo vend kishte një problem thelbësor të mbetjeve ushqimore.

“PËR NJË KOHË TË GJATË, U SUPOZUA SE MBETURINAT E USHQIMIT NË SHTËPI ISHIN NJË PROBLEM I RËNDËSISHËM VETËM NË VENDET E ZHVILLUARA. ME BOTIMIN E RAPORTIT TË INDEKSIT TË MBETJEVE TË USHQIMIT, NE SHOHIM SE GJËRAT NUK JANË AQ TË PRERA” THOTË MARCUS GOVER, CEO I WRAP.

Prodhimi i ushqimit ka një ndikim të rëndësishëm në mjedis, pasi deri në 10 për qind të emetimeve globale të karbonit janë të lidhura me ushqimin që nuk e konsumojmë.

Siguria globale e ushqimit është një çështje në rritje gjithashtu me 690 milion njerëz të prekur nga uria në 2019, një numër që Kombet e Bashkuara deklarojnë se pritet të rritet për shkak të COVID-19. /Shqiptarja