OKB: Më shumë se 560 liderë të të drejtave të njeriut u vranë në Kolumbi për 5 vite

Sipas raportit të OKB-së, 22 liderë të të drejtave të njeriut u vranë gjatë vitit 2022

Sipas një raporti nga Zyra e OKB-së për të Drejtat e Njeriut, nga viti 2016 deri 2021 në Kolumbi janë vrarë 562 mbrojtës të të drejtave të njeriut, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas raportit, gjatë këtij viti janë vrarë 22 liderë të të drejtave të njeriut në Kolumbi, ku rritja e dhunës së ushtruar nga organizatat kriminale që kërkojnë kontrollin e territoreve për trafik droge po jep një efekt “shkatërrues”. Numri mund të jetë shumë më i lartë, sipas raportit, pasi Zyra e OKB-së ka pranuar 114 ankesa, shumica e të cilave janë ende në proces verifikimi.

Reagimi i shtetit ka qenë “i pamjaftueshëm për të ulur nivelet e dhunës, për të parandaluar abuzimet e kryera nga organizatat kriminale dhe për të mbrojtur në mënyrë adekuate komunitetet në këto territore”, thuhet në raport.

Pavarësisht marrëveshjes së paqes të nënshkruar nga guerilët e Forcave të Armatosura Revolucionare të Kolumbisë (FARC) dhe qeverisë në vitin 2016, dhuna është intensifikuar.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes së paqes, një njësit prej një numër disidentësh të FARC-ut tha se nuk do të dorëzonte armët dhe do të vazhdonte luftën e saj. Gjithashtu kanë mbetur edhe grupe të tjera të armatosura.

“Në disa vende këto grupe duket se zëvendësojnë disa nga funksionet e shtetit dhe rregullojnë shumë aspekte të jetës së komunitetit, madje duke marrë edhe vendime për çështjet familjare ose drejtësinë lokale”, deklaroi Juliette De Rivero, përfaqësuese e Kolumbisë e Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut gjatë prezantimit të raportit.

Arritja e paqes me të gjitha grupet e armatosura kriminale që kanë ende një prani të konsiderueshme në vend, do të jetë një nga sfidat më të mëdha me të cilën pritet të përballet presidenti i ardhshëm Gustavo Petro pasi të marrë detyrën më 7 gusht.

Strategjia aktuale ushtarake nuk ka arritur të ndalojë ekspansionin e grupeve të armatosura dhe i kërkoi qeverisë së ardhshme të vendos si prioritet trajtimin e dhunës nga e cila më së shumti pësojnë gratë, fëmijët, popujt indigjenë, pasardhësit afrikanë, udhëheqësit e komunitetit dhe mbrojtësit e të drejtave të njeriut, thuhet në raport. /aa