Programi Botëror i Ushqimit (WFP) i Kombeve të Bashkuara njoftoi se të gjitha furrat e bukës në pjesën qendrore të Gazës u detyruan të mbyllen për shkak të mungesës së furnizimit, në mes të luftës së vazhdueshme gjenocidale të Izraelit në Gaza, raporton Anadolu.
“Të gjitha furrat e bukës në Gazën qendrore janë mbyllur për shkak të mungesave të mëdha të furnizimit”, njoftoi WFP në X.
Në postim gjithashtu thuhet se buka është mjet shpëtimi për shumë familje dhe i vetmi ushqim tek i cili kanë qasje, duke shtuar se tani edhe kjo po u pamundësohet banorëve.
Organizata e OKB-së paralajmëroi se “uria mbetet një rrezik serioz” për njerëzit në Gaza, duke kërkuar “qasje të sigurt të ndihmës jetike humanitare në Gaza”.
Që nga fillimi i luftës së Izraelit në Gaza më tetor 2023, grupe të shumta ndërkombëtare dhe të OKB-së i kanë bërë thirrje Izraelit që të lehtësojë hyrjen e ndihmave humanitare në Gaza për të shmangur urinë dhe mungesën e bukës.
Izraeli nisi një luftë gjenocidale në Rripin e Gazës pas një sulmi ndërkufitar nga grupi palestinez Hamas në tetor 2023, duke vrarë deri më tani mbi 44.300 njerëz, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, si dhe duke plagosur afro 105 mijë të tjerë.
Gjenocidi në Gaza, i cili hyn në vitin e dytë, gjithnjë e më shumë ka tërhequr dënime ndërkombëtare, ku zyrtarë dhe institucione të shumta i vlerësojnë sulmet dhe bllokimin e ndihmave humanitare si një përpjekje të qëllimshme për të shkatërruar popullatën.
Javën e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) lëshoi urdhrarreste për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli gjithashtu përballet me një padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij vdekjeprurëse në Gaza.