OKB: Mbi 60 për qind e viktimave të tregtisë me qenie njerëzore janë gra

Ghada Fathi Waly

Theksohet se viktimat kryesisht janë të ekspozuara për qëllime të eksploatimit seksual

Kryetarja e Zyrës së OKB-së për Drogën dhe Krimin (UNODC), Ghada Fathi Waly deklaroi se më shumë se 60 për qind të viktimave të tregtisë me qenie njerëzore të identifikuara gjatë 15 viteve të fundit janë gra dhe vajza, raporton Anadolu Agency (AA).

Theksohet se viktimat kryesisht janë të ekspozuara për qëllime të eksploatimit seksual.

Waly në video-mesazhin me rastin e Ditës botërore të luftës kundër tregtisë me qenie njerëzore tregoi për rëndësinë e platformave digjitale në jetën njerëzore dhe përmendi se bota online, jo vetëm që jep kontribut pozitiv për njerëzit, por gjithashtu ofron mundësi të pamohueshme për formacionet kriminale.

“Tregtia me qenie njerëzore është krim që shfrytëzon vulnerabilitetin, pa ndihmesën dhe besimin. Trafikantët e qenieve njerëzore përdorin rrjetet sociale dhe platformat tjera online për të mashtruar dhe shfrytëzuar viktimat”, tha Waly.

Ajo theksoi për spektrin e gjerë që teknologjitë e avancuara të komunikimit u ofrojnë trafikantëve të qenieve njerëzore.

“Më shumë se 60 për qind të viktimave të tregtisë së qenieve njerëzore gjatë 15 viteve të fundit kanë qenë gra dhe vajza”, tha Waly.

Më tej ajo sqaroi se përleshjet dhe tensionet në mbarë botën i sjellin njerëzit në dëshpërim dhe në këtë mënyrë trafikantët e qenieve njerëzore i përdorin njerëzit në fatkeqësi duke u premtuar punë më të mirë ose mënyrë jetese më të mirë.

Waly theksoi se platformat online duhet të kontrollohen me teknologji më të avancuara për të mbrojtur individët.

Sipas saj, qeveritë, organizatat joqeveritare dhe kompanitë e IT-së duhet të punojnë së bashku në mënyrë që njerëzit e pafuqishëm të mos bien pre e trafikantëve. /aa