OKB: Mbi 30 për qind e familjeve në Liban kanë të paktën një fëmijë që shkon në shtrat i uritur

Mbi 30 për qind e familjeve në Liban këtë mars kanë pasur të paktën një fëmijë që anashkaloi një vakt ushqimi ose shkoi të flinte i uritur, thuhet në raportin e fundit të UNICEF-it, transmeton Anadolu Agency (AA).

Raporti “Liban: E ardhmja e fëmijëve në rrezik”, i publikuar këtë javë, shqyrtoi ndikimin e krizës ekonomike në Liban tek fëmijët.

Raporti gjithashtu nënvizoi se 77 për qind e familjeve në Liban theksuan se në muaj nuk kanë për të blerë ushqim të mjaftueshëm për fëmijët e tyre dhe se kur bëhet fjalë për familjet siriane në Liban shifra shkon deri në 99 për qind, sipas raportit.

Duke prekur mungesën e Libanit për një sistem gjithëpërfshirës të mbrojtjes sociale, theksohet se “60 për qind duhej të blinin ushqime me kredi ose të huazonin para”.

Për më tepër, 40 për qind e fëmijëve janë nga familje ku asnjë anëtar i familjes nuk punon ndërsa 30 për qind e tyre nuk marrin kujdesin shëndetësor bazë që u nevojitet, shtoi raporti.

Raporti i UNICEF-it po ashtu u bëri thirrje autoriteteve libaneze të zgjerojnë masat e mbrojtjes sociale me sigurimin e nevojave emergjente dhe shërbimeve themelore të kujdesit shëndetësor për të gjithë fëmijët në vend.

Libani është bllokuar në formimin e një qeverie të re mes mosmarrëveshjeve midis kryeministrit të caktuar Hariri dhe presidentit Michel Aoun.

Që nga tetori i vitit 2019, Libani është përballur me një krizë të rëndë ekonomike dhe përkeqësim të kushteve të jetesës, më e keqja për popullin libanez që nga lufta civile pesë-vjeçare që përfundoi në vitin 1990.

Një shpërthim masiv gushtin e kaluar në Portin e Bejrut, i cili la të paktën 200 libanezë të vdekur dhe mijëra të plagosur, e bëri edhe më të keqe situatën tashmë të brishtë. /aa