Zyra e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA) ka bërë të ditur se më shumë se 1 milion njerëz janë prekur nga përmbytjet në Sudanin e Jugut pas shirave të dendur, transmeton Anadolu.
Në një raport mbi situatën gjatë fundjavës, OCHA tha se përmbytjet kanë shkaktuar zhvendosjen e rreth 271 mijë njerëzve, duke i detyruar ata të kërkojnë strehim në toka më të larta në pjesën më të madhe të vendit.
Sudani i Jugut, kombi më i ri në botë, po përballet me një nga përmbytjet më të këqija në dekada, duke shkaktuar shkatërrim të gjerë, zhvendosje dhe dëmtime të rënda në infrastrukturë dhe mjete jetese.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) tha se 58 objekte shëndetësore janë fundosur në ujë në pesë qarqe të vendit, ndërsa pothuajse 90 të tjera janë të paarritshme.
Rreth 15 rrugë kryesore, përfshirë rrugët për në kryeqytetin Juba, ku ndodhen shërbimet shëndetësore terciare, gjithashtu janë ndërprerë.
OBSH-ja theksoi se përmbytjet kanë përkeqësuar një situatë tashmë kritike humanitare në Sudanin e Jugut, i cili aktualisht pret rreth 800 mijë refugjatë dhe të kthyer të cilët ikin nga konflikti i armatosur në Sudanin fqinj.
Rastet e kolerës dhe malarier në rritje
Agjencia shëndetësore e OKB-së raportoi dy raste të dyshuara të kolerës në kontin Renk, që ndodhet në shtetin verior të Nilit të Epërm, i cili strehon 60 për qind të refugjatëve dhe të të kthyerve.
Rastet e malaries janë gjithashtu në rritje, me më shumë se 120 mijë raste dhe 31 vdekje të dyshuara të regjistruara që nga 29 shtatori.
Në pesë javët e fundit, OBSH-ja gjithashtu raportoi 55 incidente të kafshimit të gjaprit.
“Njerëzit janë në një gjendje të rritur të cenueshmërisë për shkak të tronditjeve të shumta”, tha Dr. Humphrey Karamagi, përfaqësues i OBSH-së në Sudanin e Jugut.
Karamagi shtoi se organizata po punon me Ministrinë e Shëndetësisë dhe partnerë të tjerë për të siguruar qasje në shërbimet thelbësore të kujdesit shëndetësor.