Duke u bazuar në një vizitë pesë ditore në Kosovë dhe Serbi, një ekspert i të drejtave të njeriut nga Kombet e Bashkuara ka kërkuar nga Qeveria e Serbisë dhe ajo e Kosovës që të gjejnë një zgjidhje urgjente dhe të qëndrueshme për qytetarët që janë shpërngulur gjatë luftës, para 17 vjetëve, njofton Klan Kosova.
“Një zgjidhje e qëndrueshme për të shpërngulurit e brendshëm duhet të jetë një opsion i hapur për ta dhe duhet të jetë diçka e shkëputur nga procesi politik”, ka thënë Raportuesi Special i Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut të personave të shpërngulur, Chaloka Beyani, në një deklarata të lëshuar nga zyra e Komisionerit të Lartë për të Drejtat e Njeriut të OKB-së (OHCHR), njofton Klan Kosova.
“I sugjeroj autoritetet atje që urgjentisht të marrin parasysh kërkesat dhe të shohin nevojat e personave të shpërngulur brendapërbrenda vendit”, ka thënë ai, duke bërë me dije se nuk zgjidhet problemi vetëm me rikthimin në shtëpitë e tyre, njofton Klan Kosova.
Sipas UNHCR janë ende më shumë se 88.000 persona që janë të shpërngulur brenda vendit në Serbi dhe më shumë se 16.000 të tillë në Kosovë dhe sipas këtij publikimi atyre duhet t’u gjendet një zgjidhje e qëndrueshme.
Eksperti i OKB-së për të drejtat e njeriut, po ashtu shprehet i shqetësuar për kushtet në të cilat jetojnë këta njerëz, sidomos ata që u takojnë komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptas.
“Këtyre personave duhet t’u plotësohen disa kërkesa specifike, sidomos në të drejtën e tyre për të pasur qasje në shtëpitë e dikurshme, në punësimi, shërbim shëndetësor dhe edukim”, thotë Beyani, duke shtuar se këto problematika duhet të adresohen si diçka vërtetë emergjente.
Raportuesi Special vë në dukje se ka edhe probleme të tjera si sundimi i ligjit për pronat dhe uzurpimi i pronave.
Sipas ekspertit të OKB-së zgjidhja e këtij problemit duhet të bëhet një nga temat kryesore për Serbinë e Kosovën në bisedimet e tyre në Bruksel, njofton Klan Kosova.