Në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara u pranua projektrezoluta e cila kërkon formimin e “mekanizmit ndërkombëtar të paanshëm dhe të pavarur” që do të mbledhë prova për hetimin rreth shkeljeve të së drejtës ndërkombëtare dhe të të drejtave njerëzore që përbëjnë krime lufte që nga viti 2011 e deri tani në Siri, raporton Anadolu Agency (AA).
Në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara u votua projektrezoluta e përgatitur nga Lihtenshtajni, e mbështetur nga 57 vende duke përfshirë edhe Turqinë.
Projektrezoluta u miratua me 105 vota, ndërsa 15 vende kanë votuar kundër dhe 52 vende të tjera kanë abstenuar.
Përfaqësuesi i Përhershëm i Lihtenshtajnit në OKB, Christian Wenaweser, në një fjalim të mbajtur para votimit në Asamblenë e Përgjithshme ka tërhequr vëmendjen se nuk janë zbatuar përgjegjësitë që parashikohen nga OKB. Ai ka theksuar se nuk duhet të mbesin pa u ndëshkuar krimet e luftës të kryera në Siri që nga viti 2011 dhe se për këtë arsye kanë ndërmarrë iniciativën për formimin e këtij mekanizmi.
Mekanizmi i OKB-së do të mbledhë prova për shkeljet e të drejtës ndërkombëtare dhe të të drejtave njerëzore që përbëjnë krime lufte që nga viti 2011 e deri tani në Siri. Gjithashtu do të sigurojë lehtësimin e procesit në gjykimin e përgjegjësve duke përgatitur dosjet me të dhënat e mbledhura në rast të dërgimit të autorëve të krimeve të luftës në Gjykatën Ndërkombëtare Penale apo në gjykatat kombëtare, rajonale dhe ndërkombëtare.
Ndaj kësaj projektrezolute ka dhënë mbështetje edhe organizata Human Rights Watch, e cila në një deklaratë ka theksuar se ka një rëndësi jetike formimi i “mekanizmit konkret për drejtësi” i cili do të mbledhë provat për tu përdorur në të ardhmen në gjykata.