Ballina Lajmet Rajon dhe Botë OKB-ja zotohet të vazhdojë bisedimet me Turqinë, Ukrainën dhe Rusinë për të...

OKB-ja zotohet të vazhdojë bisedimet me Turqinë, Ukrainën dhe Rusinë për të garantuar sigurinë në Detin e Zi

Miroslav Jenča

Derisa viktimat civile po rriten në Ukrainë, Kombet e Bashkuara (OKB) kanë përsëritur angazhimin për ta mbajtur dialogun me Turqinë, Ukrainën dhe Rusinë për të garantuar lirinë dhe sigurinë e lundrimit në Detin e Zi, transmeton Anadolu.

Në një seancë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ndihmës sekretari i përgjithshëm i OKB-së për Evropën, Azinë Qendrore dhe Amerikën, Miroslav Jenča, tha se derisa ndikimi më i keq i luftës vazhdon të ndihet në komunitetet e vijës së parë të Ukrainës lindore dhe jugore, vdekja dhe shkatërrimi po ashtu janë një dukuri e përditshme larg zonave të luftimeve aktive.

Duke theksuar numrin në rritje të viktimave të luftës për popullsinë civile të Ukrainës, Jenča tha se në muajin shtator të paktën 208 civilë ukarinasë u vranë dhe 1.220 të tjerë u plagosën, duke e bërë shtatorin “muajin me numrin më të lartë të viktimave civile këtë vit në Ukrainë”.

Jenča përmendi të dhënat e Zyrës së Komisionerit të Lartë për të Drejtat e Njeriut, e cila raportoi se rreth 12 mijë civilë janë vrarë, duke përfshirë 622 fëmijë, si dhe mbi 25 mijë të tjerë janë plagosur që nga fillimi i luftës së Rusisë në muajin shkur të vitit 2022.

Duke theksuar sulmet e Rusisë ndaj porteve të Ukrainës në Detin e Zi, ai tha se, “OKB-ja për këtë arsye vazhdon angazhimin me Ukrainën, Federatën Ruse dhe Turqinë, si dhe me palë të tjera të interesuara, në mbështetje të lirisë dhe sigurisë së lundrimit në Detin e Zi”.

Ai gjithashtu theksoi torturat me të cilat përballen të burgosurit e luftës si në Ukrainë ashtu edhe në Rusis, duke deklaruar se 97 për qind e të burgosurve ukrainasë dhe 50 për qind e të burgosurve rusë raportuan se i janë nënshtruar torturës ose keqtrajtimit gjatë robërisë.

“Ne u bëjmë thirrje autoriteteve të Federatës Ruse, si dhe të Ukrainës, që t’i japin fund kësaj praktike dhe t’i mbajnë autorët përgjegjës”, tha ai.

Nëntori do të shënojë 1 mijë ditë që nga fillimi i pushtimit rus, “një luftë” që Jenča e përshkroi si shkaktar të një “vuajtje të thellë njerëzore, kërcënuese për stabilitetin rajonal dhe përkeqësim të ndarjeve globale”.

Exit mobile version