Kombet e Bashkuara (OKB) kanë paralajmëruar për përkeqësimin e shpejtë të situatës në veri të Gazës, duke theksuar se e gjithë popullata është në “rrezik të afërt të vdekjes nga sëmundjet, uria dhe dhuna”, transmeton Anadolu.
Në një konferencë për media, zv/zëdhënësja e shefit të OKB-së, Stephanie Tremblay, duke cituar Zyrën për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA) tha se e vetmja ndihmë e OKB-së e lejuar në veri të Gazës “që nga fillimi i rrethimit izraelit një muaj më parë ishte furnizimi për spitalet gjatë misioneve të evakuimit mjekësor”.
“Ofensiva izraelite po i pengon palestinezët të kenë qasje në gjërat thelbësore për mbijetesën e tyre, përfshirë ujin”, tha Tremblay.
Ajo theksoi se punonjësit e ndihmës “nuk janë të sigurt për të bërë punën e tyre dhe janë të bllokuar nga forcat izraelite dhe pasiguria për të arritur njerëzit në nevojë”.
“Siç deklaruan një javë më parë udhëheqësit e OKB-së dhe organizatave humanitare, Komiteti i Përhershëm Ndër-Agjencior, e gjithë popullata në Gazën veriore është në rrezik të afërt për të vdekur nga sëmundjet, uria dhe dhuna”, shtoi ajo.
Duke theksuar se palestinezët në Gazën veriore “nuk kanë absolutisht asnjë mbrojtje” ndërsa Izraeli vazhdon sulmet e tij të pamëshirshme, Tremblay bëri thirrje për mbrojtjen e civilëve “në veri dhe në të gjithë Gazën”.
“Sot, njerëzit që qëndrojnë në disa pjesë të Gazës veriore përsëri u urdhëruan të largohen nga autoritetet izraelite,” tha Tremblay, duke shtuar se “14 mijë palestinezë të zhvendosur me forcë në atë zonë po qëndrojnë në strehimore dhe vende të tjera”.