OKB-ja konfirmon tërheqjen e SHBA-së nga Marrëveshja e Parisit për Klimën

Stephane Dujarric

OKB-ja konfirmoi njoftimin zyrtar të SHBA-së për tërheqjen e saj nga Marrëveshja e Parisit për Klimën, raporton Anadolu.

“SHBA-ja ka njoftuar Sekretarin e Përgjithshëm (Antonio Guterres), në cilësinë e tij si depozitues, për tërheqjen e saj nga Marrëveshja e Parisit më 27 janar të këtij viti”, tha zëdhënësi i OKB-së Stephane Dujarric gjatë një konference për shtyp.

Presidenti amerikan Donald Trump fillimisht tërhoqi SHBA-në nga marrëveshja për klimën në vitin 2019. Megjithatë, ish-presidenti Joe Biden e riktheu shpejt marrëveshjen në ditën e tij të parë në detyrë.

Menjëherë pas inaugurimit të tij, Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv për të tërhequr përsëri SHBA-në nga marrëveshja.

Duke kujtuar se marrëveshja u nënshkrua fillimisht nga SHBA-ja më 22 prill 2016, Dujarric tha: “Megjithatë, vendi u tërhoq më 4 nëntor 2020, përpara se të bashkohej më 19 shkurt 2021”.

“Sipas nenit 28, paragrafi 2, i Marrëveshjes së Parisit, tërheqja e Shteteve të Bashkuara do të hyjë në fuqi më 27 janar 2026”, tha Dujarric.

Ai theksoi përkushtimin global ndaj veprimit klimatik dhe tha: “Ne riafirmojmë angazhimin tonë ndaj Marrëveshjes së Parisit dhe mbështesim të gjitha përpjekjet efektive për të kufizuar rritjen e temperaturave globale në 1,5 gradë celsius”.