Komiteti i OKB-së për të Drejtat e Njeriut ka gjetur Australinë përgjegjëse për shkeljen e një traktati të të drejtave të njeriut duke ridrejtuar ose transferuar azilkërkuesit në qendrat e paraburgimit jashtë territorit të saj, në Republikën e Naurus, transmeton Anadolu.
Në 2012 dhe 2013, Australia nënshkroi marrëveshje me shtetin ishull Nauru, duke mundësuar transferimin e detyruar të azilkërkuesve në vendin e Paqësorit për “procesim”.
Megjithatë, “një shtet palë nuk mund t’i shpëtojë përgjegjësisë së tij për të drejtat e njeriut kur kontrakton procesimin e azilit në një shtet tjetër”, tha anëtari i Komitetit “Mahjoub El Haiba” në një deklaratë të enjten.
Rreth 24 të mitur të pashoqëruar nga vende të ndryshme janë kapur nga Australia ndërsa iknin nga persekutimi dhe janë ndaluar në Ishullin Christmas dhe më vonë në Nauru.
Pavarësisht se u ishte dhënë statusi refugjat në vitin 2014, ata u përballën me kushte të këqija në qendrën e mbipopulluar të Naurut, duke vuajtur probleme të shëndetit fizik dhe mendor, sipas deklaratës së Komitetit.
Një azilkërkuese iraniane, e njohur si refugjate në vitin 2017, u mbajt në Nauru deri në vitin 2018. Ajo u transferua në Australi për arsye mjekësore, por mbeti në paraburgim.
Viktimat paraqitën ankesa në Komitetin e të Drejtave të Njeriut, duke pretenduar se Australia ka shkelur detyrimet e saj sipas Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike (ICCPR).
Komiteti i OKB-së përcaktoi se Australia nuk arriti të shpjegonte pse individët nuk mund të transferoheshin në qendrat e paraburgimit të komunitetit në territorin kontinental, të cilat plotësojnë më mirë nevojat e njerëzve vulnerabël.