Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) ka arritur marrëveshje me qeverinë e Bangladeshit për të ndihmuar refugjatët e Arakanit të vendosur në ishullin Bhasan Char, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë nga Zyra e Komisionerit të Lartë të OKB-së për Refugjatët (UNHCR) në Bangladesh thuhet se me Bangladeshin u nënshkrua Memorandumi i Mirëkuptimit (MoU).
Me marrëveshjen në fjalë u hartua kuadri ligjor i ndihmave që OKB-ja do të bëjë për refugjatët që ndodhen ishull.
Qeveria e Bangladeshit deri më sot ka vendosur në Bhasan Char rreth 20 mijë refugjatë të Arakanit.
Delegacioni i OKB-së vizitoi për herë të parë ishullin më 17 mars dhe më pas kreu inspektime lidhur me kushtet e jetesës së refugjatëve në ishull.
Vendosja e muslimanëve në Bhasan Char shkaktoi reagime
Institucionet e të drejtave të njeriut dhe organizatat e ndihmës shprehën reagime ndaj fillimit të transferimit të refugjatëve të Arakanit nga rajoni Cox’s Bazar për në Bhasan Char i cili thuhet se ka kapacitet për të strehuar 100 mijë njerëz.
Duke kundërshtuar planin, organizatat theksuan se ishulli është i pambrojtur ndaj përmbytjeve dhe uraganeve të shpeshta në rajon.
Po ashtu shumë herë kanë shprehur edhe shqetësimet e tyre nëse muslimanët e Arakanit në ishull do të kenë apo jo qasje në ushqime, ujë dhe shërbimet e kujdesit shëndetësor dhe arsim. /aa