Një panel hetuesish i OKB-së thotë se forcat izraelite të sigurisë mund të kenë kryer krime lufte dhe krime kundër njerëzimit vitin e kaluar kur vranë 189 palestinezë në kufirin midis Izraelit dhe Rripit të Gazës. Izraeli i hodhi poshtë gjetjet e raportit dhe e konsideroi atë “teatër absurdi
Hetuesit e Kombeve të Bashkuara thanë të enjten se forcat izraelite të sigurisë mund të kenë kryer krime lufte dhe krime kundër njerëzimit vitin e kaluar kur vranë 189 palestinezë dhe plagosën mbi 6100 të tjerë në Gaza. Paneli i pavarur tha se ka marrë informacion konfidencial për ata që mendon se janë përgjegjës për vrasjet, përfshirë qitësit me snajper dhe komandantët. Raporti thekson se “forcat izraelite të sigurisë shënjestruan me vetëdije dhe vranë protestues palestinezë që nuk përbënin rrezik.” Izraeli i hodhi poshtë gjetjet e raportit dhe e konsideroi atë “teatër absurdi.”
Ministri i Punëve të Jashtme i Izraelit, Yisrael Katz deklaroi se Këshilli për të drejtat e njeriut i OKB-së “ka hartuar një raport armiqësor, të rremë dhe shpifës kundër shtetit të Izraelit”.
Kreu i komisionit të pavarur të ngritur nga Kombet e Bashkuara, Santiago Canton, deklaroi gjetjen e provave të besueshme se forcat izraelite të sigurisë kanë kryer shkelje të rënda të të drejtave të njeriut dhe të ligjit ndërkombëtar humanitar.
Sinkron: “Është e qartë se këto shkelje kërkojnë hetime dhe ndjekje penale dhe ne i bëjmë thirrje Izraelit që të që të kryejë hetime të plota për këto shkelje serioze, si dhe të sigurojë drejtësi dhe kompensime për të vrarët dhe të plagosurit.”
Që prej vitit të kaluar në kufirin midis Izraelit dhe Rripit të Gazës janë zhvilluar protesta për heqjen e bllokadës izraelite ndaj territorit si dhe për të drejtën e refugjatëve palestinezë për t’u kthyer në shtëpitë e tyre në Izrael. Autoritetet izraelite tha se ushtria hapi zjarr për të mbrojtur kufirin nga inkursionet dhe sulmet e “militantëve”.