Komisioneri i Përgjithshëm i Agjencisë së OKB-së për Refugjatët Palestinezë në Lindjen e Afërt (UNRWA), Philippe Lazzarini tha se Gaza e cila ndodhet nën sulmet izraelite, ka numrin më të madh të fëmijëve të amputuar për frymë në botë, transmeton Anadolu.
Lazzarini bëri një deklaratë në llogarinë e tij në rrjetin social X në lidhje me ndikimin e shkatërrimit në Gaza mbi fëmijët palestinezë, të cilët Izraeli i ka lënë në uri dhe pa ujë duke penguar ndihmat.
Duke kujtuar se një në çdo pesë familje që kanë marrë pjesë në një anketim para sulmeve të Izraelit, kishte të paktën një person me aftësi të kufizuara fizike dhe se pothuajse në gjysmën e këtyre familjeve ka një fëmijë me aftësi të kufizuara fizike, Lazzarini theksoi se në Gaza po përjetohet një “epidemi e aftësisë së kufizuar”.
Ai tërhoqi vëmendjen se njerëzit që kanë nevojë për kujdes të veçantë gjatë sulmeve kanë vuajtur në heshtje dhe se historitë e tyre janë treguar rrallë, ndërsa shtoi se edhe sulmet shkaktuan një “epidemi të lëndimeve traumatike” për të cilat nuk ka shërbime të rehabilitimit.
“Gaza ka numrin më të madh të fëmijëve të amputuar për frymë në botë”, potencoi Lazzarini i cili shtoi se shumë prej këtyre fëmijëve janë operuar pa anestezi dhe kanë humbur gjymtyrët e tyre.
Lazzarini tha se sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), një në katër persona të plagosur në sulmet izraelite ka pësuar lëndime që i ndryshojnë jetën dhe se ka nevojë për kujdes.