Zëdhënësja e OKB-së, Stephanie Tremblay, shprehu shqetësim për sulmet e vazhdueshme izraelite në Rripin e Gazës, raporton Anadolu.
“Ne jemi të alarmuar nga sulmet e vazhdueshme në të gjithë Rripin që kanë lënë shumë palestinezë të vdekur”, tha Tremblay.
Më herët gjatë ditës, një burim mjekësor nga Spitali Kamal Adwan në pjesën veriore të Gazës tha për Anadolu se ushtria izraelite i vuri zjarrin disa pjesëve të spitalit.
Tremblay tha se në një sulm ajror pranë spitalit Kamal Adwan në provincën veriore të Gazës mbrëmë besohet se janë vrarë dhjetëra njerëz, përfshirë punonjës shëndetësorë.
“Në spitalin Kamal Adwan sot, stafi, pacientët dhe shoqëruesit e tyre u detyruan të largoheshin nga objekti. Janë raportuar arrestime dhe dëmtime të konsiderueshme në spital”, shtoi ajo.
Zëdhënësja nënvizoi se ekipet e OKB-së vazhdojnë të përballen me “mohime sistematike” të qasjes humanitare në Gazën veriore.
“Sot, një tjetër përpjekje e OKB-së për të arritur në pjesët e rrethuara të provincës së Gazës Veriore u mohua nga autoritetet izraelite”, shtoi ajo.
Duke folur për Bregun Perëndimor të pushtuar, Tremblay tha se që nga 26 dhjetori, forcat izraelite kishin vrarë 20 palestinezë gjatë një periudhe 10-ditore, duke përfshirë të paktën 12 të vrarë për shkak të sulmeve ajrore.
“Kolegët tanë humanitarë thonë se operacioni ushtarak i Izraelit në kampin e refugjatëve në Tulkarm shkaktoi dëme të mëdha në infrastrukturë”, tha ajo, duke shtuar:
“Taktika vdekjeprurëse, të ngjashme me luftën, po aplikohen vazhdimisht gjatë këtyre operacioneve në Bregun Perëndimor, duke ngritur shqetësime për përdorimin e forcës që tejkalon standardet e zbatimit të ligjit”.
Duke cituar Zyrën për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA), ajo tha se që nga 24 dhjetori, gjithsej 4.706 palestinezë janë zhvendosur përgjatë Bregut Perëndimor këtë vit, duke përfshirë 1.949 fëmijë.
Izraeli nisi një ofensivë tokësore në shkallë të gjerë në veri të Gazës më 5 tetor për të parandaluar rigrupimin e grupit palestinez Hamas. Palestinezët, megjithatë, akuzojnë Izraelin se synon të pushtojë zonën dhe të zhvendosë me forcë banorët e saj.
Që atëherë, asnjë ndihmë e mjaftueshme humanitare, përfshirë ushqimin, ilaçet dhe karburantin nuk është lejuar në zonë, duke e lënë popullsinë në prag të urisë.
Në përgjithësi, Izraeli ka vrarë më shumë se 45.400 njerëz në Gaza që nga sulmet e Hamasit të 7 tetorit 2023.
Muajin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhrarreste për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli gjithashtu përballet me padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij në Gaza.