OKB: Brenda shtatë muajve 400 mijë refugjatë ukrainas kaluan në Evropë

Kelly Clements

Zëvendëskomisionerja e Lartë e OKB-së për Refugjatët, Kelly Clements tha se 400 mijë refugjatë të rinj ukrainas kaluan në Evropë nga fillimi i vitit 2024 deri në gusht për t’u mbrojtur nga lufta dhe bombat për shkak të luftës së vazhdueshme Rusi-Ukrainë, transmeton Anadolu.

Në konferencën javore për media të Zyrës së OKB-së në Gjenevë, Clements tha se me sulmet intensive dhe fillimin e sezonit të vështirë të dimrit u shtuan nevojat e civilëve.

“Shkatërrimi i infrastrukturës energjetike nga Rusia në Ukrainë ka çuar në një humbje të përgjithshme prej 65 për qind të kapacitetit të prodhimit të energjisë në muajt e fundit. Sulmet vazhdojnë, duke ndërprerë furnizimin me energji elektrike, ngrohje dhe ujë”, tha Clements.

Ajo theksoi se rreth 170 mijë njerëz në lindje të vendit janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre që nga gushti ndërsa shumica e tyre u evakuuan nga zonat ku ndodhën konfliktet.

“Rreth 4 milionë njerëz u zhvendosën brenda Ukrainës dhe 6.7 milionë njerëz u strehuan jashtë vendit. 400 mijë refugjatë të rinj ukrainas kaluan në Evropë nga fillimi i vitit 2024 deri në gusht për t’u mbrojtur nga lufta dhe bombat”, tha zv/komisonerja e lartë e OKB-së.

Clements vuri në dukje se shumë fëmijë në Ukrainë vazhdojnë shkollimin e tyre në internet pasi janë të privuar nga ndërveprimi social dhe përvojat në klasë.

Sipas saj, fëmijët në rajone të tilla si Kharkivi shkollohen në strehimore nëntokësore për t’u shpëtuar sulmeve ajrore. Clements tha se këto zona nuk kanë dritë natyrale dhe kënde lojërash.