OKB: Bllokada totale e Gazës do të ketë pasoja katastrofike

Tom Fletcher

Koordinatori i emergjencave të OKB-së, Tom Fletcher, paralajmëroi Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara se bllokada totale e vendosur nga Izraeli në Rripin e Gazës do të ketë pasoja shkatërrimtare për 2.1 milionë palestinezë.

“Dua të raportoj me shqetësim se, përveç sulmeve ajrore intensive që kanë rifilluar, që nga 2 marsi, autoritetet izraelite kanë ndërprerë hyrjen e të gjitha ndihmave jetike – ushqim, ilaçe, karburant, gaz për gatim – për popullsinë e Gazës,” tha Fletcher gjatë informimit të tij.

Ai theksoi se kërkesat e përsëritura për të marrë ndihmat që ndodhen në pikën kufitare Karem Shalom janë refuzuar sistematikisht nga Izraeli.

Mungesa ekstreme e burimeve jetësore

Si pasojë e bllokadës totale, furnizimet thelbësore për mbijetesë po racionalizohen. Izraeli ka ndërprerë gjithashtu furnizimin me energji elektrike në uzinën e ujit të pijshëm në Gazën jugore, duke lënë 600,000 njerëz pa qasje në ujë të pastër.

Çmimet e produkteve bazë janë rritur ndjeshëm. Në veri të Gazës, çmimet e perimeve janë trefishuar, ndërsa gjashtë furra buke të subvencionuara nga Programi Botëror i Ushqimit janë mbyllur për shkak të mungesës së gazit për gatim dhe lëndëve të para.

Kriza shëndetësore në përkeqësim

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar për rreziqe të larta të përhapjes së sëmundjeve ngjitëse për shkak të mbipopullimit dhe kushteve të këqija sanitare në Gaza.

“Bllokada totale e ndihmave shpëtuese, mallrave bazë dhe produkteve tregtare do të ketë një ndikim katastrofal tek popullsia në Gaza, e cila mbetet e varur nga një rrjedhë e qëndrueshme ndihmash,” paralajmëroi Fletcher. /mesazhi