OKB bën thirrje për armëpushim në Jemen

Zëvendës Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së për Çështjet Humanitare, Mark Lowcock bëri thirrje për sigurimin e një armëpushimi në Jemen, veçanërisht në qytetin Hudejde, transmeton Anadolu Agency (AA).

Lowcock i cili ndodhet në Jemen për të vëzhguar situatën humanitare, u tha gazetarëve në aeroportin ndërkombëtar në kryeqytetin Sana se ka vizituar vendin për të parë situatën humanitare në Jemen, e cila është përkeqësuar edhe më shumë që nga vizita e tij e mëparshme.

Ai bëri thirrje për sigurimin e një armëpushimi në Jemen, veçanërisht për qytetin portual Hudejde i cili është një nga pikat më të rëndësishme nga ku hyjnë ndihmat humanitare në vend. Lowcock vuri theksin se janë përqendruar mbi disa pika për të eliminuar problemet e popullatës dhe për rregullimin e situatës në vend.

Sipas tij, për hyrjen e ndihmave humanitare duhet të krijohet ambient i përshtatshëm, ndërsa portet dhe rrugët duhet të jenë të hapura për ndihmat që do të vijnë. Lowcock tërhoqi vëmendjen se është gjithashtu e rëndësishme që të sigurohen burimet e duhura ekonomike dhe të jepen pagat.

Lowcock bëri thirrje për më shumë mbështetje në fushën humanitare ndaj vendit duke shtuar se komuniteti ndërkombëtar, kryesisht vendet e rajonit duhet të bashkëpunojë me përfaqësuesin e posaçëm të OKB-së për Jemenin, Martin Griffiths dhe se presin pjesëmarrje në negociatat e Jemenit të cilat janë planifikuar të mbahen në Gjenevë.

Në vijim ai thotë se në kuadër të vizitës së tij në Jemen shpreson të takohet me palët në vend për realizimin e këtyre objektivave. Lowcock tha se dëshiron të takohet edhe me palët që punojnë në fushën humanitare në vend.

OKB-ja pret që në vizitën tre ditore në Jemen, Lowcock të takohet me persona të interesuar në Sana dhe Aden si dhe të vizitojë kryesisht refugjatët dhe familjet e prekura për shkak të luftës së brendshme.