Përfaqësuesi Special i OKB-së për Procesin e Paqes për Lindjen e Mesme, Tor Wencesland ka paralajmëruar se armëpushimi i rënë dakord midis grupeve palestineze dhe Izraelit vazhdon të mbetet shumë i brishtë.
Duke folur para anëtarëve të Këshillit të Sigurimit të OKB në Nju-Jork, Wencesland, tha: “Fundi i armiqësive midis Izraelit dhe Hamasit bazohet në një terren shumë të brishtë dhe palët duhet të ulin tensionin duke shmangur provokimet”.
Wencesland ka theksuar se të gjitha palët duhet të përmbushin përgjegjësitë e tyre për të shmangur një përshkallëzim tjetër shkatërrues në Rripin e Gazës.
Përfaqësuesi special i OKB-së u shpreh se Izraeli duhet të përmbushë në mënyrë adekuate përgjegjësitë e tij në kuadër të të drejtës ndërkombëtare dhe të sigurojë jetën e popullit palestinez dhe se autorët e dhunës duhet të mbajnë përgjegjësi, të cilësdo palë qofshin ata.
Tor Wencesland përsëriti thirrjen e tij ndaj Izraelit për t’i dhënë fund shkatërrimit të shtëpive dhe pasurisë së palestinezëve dhe t’i lejojë ata të ndërtojnë legalisht shtëpitë e tyre.
“Unë deklaroj këtu ‘shqetësimin tim të veçantë’ për vdekjen e opozitarit palestinez Nizar Banat pas arrestimit të tij nga forcat e sigurisë dhe është e nevojshme të identifikohen personat përgjegjës duke e hetuar çështjen në mënyrë transparente”,- tha Përfaqësuesi Special i OKB për Procesin e Paqes për Lindjen e Mesme.
Sulmet e nisura nga Izraeli në Rripin e Gazës më 10 maj përfunduan në orën 02:00 me orën lokale të 21 majit sipas marrëveshjes së armëpushimit me Hamasin.
Në sulmet izraelite u vranë 254 palestinezë, duke përfshirë 66 fëmijë dhe 39 gra, dhe u plagosën 1.948 të tjerë. Mijëra ndërtesa u shkatërruan plotësisht ose u kthyen në rrënoja. /trt