OKB: 120,000 persona të zhvendosur në Gaza për shkak të dhunës së re Izraelite

Zyra e Kombeve të Bashkuara për Çështje Humanitare (OCHA) ka bërë të ditur se Izraeli ka lëshuar urdhra zhvendosjeje që mbulojnë rreth 15 për qind të Gazës, duke detyruar 120,000 palestinezë të largohen nga shtëpitë e tyre që nga data 18 mars.

Banorët e Gazës janë zhvendosur në mënyrë të përsëritur gjatë luftës, ndërsa zyrtarët izraelitë vazhdojnë të kërcënojnë me aneksimin e pjesëve të territorit.

“OCHA thekson edhe një herë se civilët duhet të mbrohen, pavarësisht nëse vendosin të qëndrojnë apo të largohen. Ata që kërkojnë zona më të sigurta duhet të lejohen të kthehen sapo rrethanat ta mundësojnë këtë,” thuhet në deklaratën e agjencisë së OKB-së.

Po ashtu, OCHA nënvizon se civilët duhet të kenë qasje në ndihmën humanitare të nevojshme, kudo që ndodhen. Kjo është një kërkesë e qartë e së drejtës ndërkombëtare humanitare. /mesazhi