Oezil refuzon uljen e pagës, por ai njihet si bamirës i madh

Një futbollist që paguhet 350 mijë funte në javë refuzon uljen e pagës prej 12,5 për qind, ndërkohë që të gjithë bashkëlojtarët e tij pajtohen për këtë. Duket gjë e thjeshtë. Por jo nëse bëhet fjalë për Mesut Oezlin.

Tre lojtarë të Arsenalit nuk janë pajtuar për ulje të pagave. Të tjerët kanë pranuar paga më të vogla për 12,5 për qind me synim për të ndihmuar klubin në kohë të pandemisë.

Oezil është lojtari më i paguar i Arsenalit, ndërsa është raportuar se është njëri prej tre lojtarëve që ka refuzuar uljen e pagës. Është raportuar se Oezil po shikon fillimisht për ndikimin e vërtetë të virusit në lojë, shkruan koha.net

Ka pasur kritika të menjëhershme ndaj ish-reprezentuesit të Gjermanisë. Kritikat kanë ardhur edhe nga ish-lojtarë të njohur në Angli.

Por kur flitet për Oezilin duhet të konsiderohet edhe një anë tjetër e tij, raporton Daily Mail. Vërtetë ai paguhet shumë, por ai po ashtu njihet për kontributin që jep për të tjerët.

Vetëm nëntë javë më parë, kur bota ishte krejt ndryshe, Oezil ka mirëpritur disa tifozë me aftësi të kufizuara për të parë në Emirates ndeshjen e Arsenalit ndaj Evertonit. Ka bërë fotografi me ta pas ndeshjes.

Ai po ashtu punon me një organizatë bamirëse që mbështet fëmijët. Përmes saj ai njëherë ka pritur një tifoz të flaktë të Arsenalit në shtëpinë e tij. Bëhet fjalë për një fëmijë tetëvjeçar me paralizë cerebrale.

Ozeil po ashtu ka dërguar një fanellë të futbollit te një djalosh në Nairobi të Kenisë, pasi ka kuptuar se ai ka bërë një version të fanellës së Arsenalit me emrin e Oezilit në shpinë. Ai dërgoj edhe pajisje tjera për djaloshin dhe shokët e tij.

“Fotografia e një djaloshi nga Kenia me një fanellë të punuar prej tij, më ka prekur shumë. Dhe shikojeni djaloshin tani. Gëzohem shumë duke parë atë dhe vëllezërit e tij të lumtur”, kishte shkruar 31-vjeçari.

Veprat e tij bamirëse janë dukshëm më të mëdha. Agjenti i Oezlit, Erkut Sogut ka thënë vitin e kaluar se mesfushori i Arsenalit ka paguar për 1000 operacione për fëmijët në gjithë botën. Futbollisti i njohur po ashtu ka ushqyer 100 mijë njerëz në 16 kampe të ndryshme në Turqi dhe Siri si dhe ka paguar 240 mijë funte për të përkrahur operimet e fëmijëve të sëmurë në Brazil.

Dhe nuk është vështirë të besohet se në kohën kur bota po përballet me një sfidë unike, Oezil është duke përdorur paratë e tij për një të mirë më të madhe. /koha.net/

Image