Oda e Avokatëve të Kosovës ka keqpërdorur buxhetin duke ndarë fond për shkollimin e koordinatores së Qendrës Trajnuese, Albulena Ukimeraj.
Statuti i Odës nuk e lejon një gjë të tillë. Buxheti i Odës mbushet me taksat e anëtarësisë se avokatëve.
Insajderi ka siguruar vendimin për financimin e kësaj nëpunëse në vlerë prej 2.500 euro.
Sipas vendimit ky institucion ka ndarë 2500 euro për studimet e Doktoraturës së Ukimerajt, të cilat i vijon në Fakultetin e Drejtësisë në Departamentin Penal të Universitetit të Tiranës.
“Aprovohet kërkesa e datës 28/04/2016 e znj. Albulena Ukimeraj koordinatore e Qendrës Trajnuese të OAK-së, dhe të njëjtës i jepet përkrahje financiare në shumën prej 2.500 euro neto”, thuhet në vendim e datës 5 qershor.
Bazuar në vendimin e OAK kërkesën e saj Ukimeraj e ka arsyetuar me shpenzimet që kishte bërë për studime deri në paraqitje e kërkesës “që kanë kaluar shumën prej 5.500 euro dhe pamundësinë e mbulimit me të ardhurat të cilat i realizon”.
Ukimeraj këtë kërkesë e kishte bërë në prill të këtij viti, ndërsa në mbledhjen e Këshillit Drejtues të OAK të datës 5 qershor kryetari i OAK-se e drejtoj kërkesën te Këshilli për vendimmarrje.
“Këshilli Drejtues i Odes së Avokatëve të Kosovës, pasi shqyrtoj kërkesën e znj. Ukimeraj dhe pretendimet e saj, konsideroj që kërkesa është e bazuar dhe vendosi që znj. Ukimerajt t`i jepet përkrahje financiare për studimet e Doktoraturës”, thuhet në vendim.
Pas katërmbëdhjetë ditësh nga marrja e këtij vendimi është bërë pagesa. Insajderi e ka siguruar edhe fletëpagesën e shkollimit që mbanë datën 19 qershor.
Gazeta Insajderi ka kërkuar të dijë se mbi çfarë baze ligjore është marrë ky vendim dhe nëse OAK ka ndonjë fond të veçantë për shkollimin e zyrtarëve, por ky institucion ende nuk ka kthyer përgjigje.
Përgjigje ende nuk ka kthyer as Albulena Ukimeraj.
Oda e Avokatëve të Kosovës (OAK) është një organizatë vetëqeverisëse, demokratike e avokatëve kosovar e cila vepron si e pavarur nga organet shtetërore. /Mesazhi/