Kosova është betuar edhe para NATO-s që transformimin e FSK-së në ushtri do ta bëjë me ndryshimet kushtetuese. Andaj, duhet ta mbajë këtë betim në mënyrë që të ruhet partneriteti me faktorin ndërkombëtar.
Kështu ka thënë për Ekonomia Online, ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairi O’Connell, duke shtuar se siguria e Kosovës varet nga partneriteti me NATO-n.
Ai thekson se është shumë e rëndësishme dhe e nevojshme që marrëveshjet e Kosovës me NATO-n që transformimi i FSK-së të bëhet në bazë të ndryshimeve kushtetuese të respektohen.
“Është shumë e rëndësishme për Kosovën që nëse ajo jep betimin për diçka ta respektojë atë. Ne kemi qenë gjithmonë pranë Kosovës për krijimin e strukturave të sigurisë qoftë FSK-së, ose një ushtrie në të ardhmen. Ne për FSK-në kemi dhënë një kontribut të vazhdueshëm që nga viti 2008 dhe do të vazhdojmë ta bëjmë. Mendoj që do të kemi edhe lajme të mira në ditët në vazhdim. Por mendoj që është shumë e rëndësishme që premtimet që dha Kosova të respektohen dhe më vjen mirë që po duket që do të respektohen tash”, ka thënë ai.
I pari i Britanisë së Madhe në Kosovë, ka vlerësuar lart punën e FSK-së, duke thënë se ajo e ka plotësuar dhe zbatuar në plotëni mandatin dhe se është bërë shembull për çdo kosovar.