Ballina Lajmet Rajon dhe Botë OBSH: Shtatzënia në Gaza e mbuluar nga frika dhe mungesa e kujdesit...

OBSH: Shtatzënia në Gaza e mbuluar nga frika dhe mungesa e kujdesit shëndetësor

Në Ditën Botërore të Shëndetit, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka ngritur alarmin mbi situatën dramatike të rreth 55,000 grave shtatzëna në Rripin e Gazës, duke theksuar se shtatzënia atje është “e mbuluar nga frika për shkak të dhunës së vazhdueshme, zhvendosjes dhe mungesës së aksesit në kujdes shëndetësor”.

Sipas OBSH-së, një në tre shtatzëni në Gaza konsiderohet me rrezik të lartë, ndërsa rreth 20 përqind e foshnjave lindin para kohe, me peshë të ulët ose me ndërlikime serioze, që kërkojnë trajtim të specializuar – një shërbim që shpesh është i paarritshëm për shkak të kolapsit të sistemit shëndetësor.

Organizata thekson gjithashtu se ndalimi i hyrjes së pajisjeve dhe medikamenteve jetike ka përkeqësuar gjendjen. Ndër artikujt e ndaluar janë inkubatorë portabël, ventilatorë për kujdesin intensiv neonatal, aparate ultrazëri, pompa oksigjeni, si dhe 180,000 doza vaksinash për fëmijët nën moshën dy vjeç, të mjaftueshme për të mbrojtur 60,000 fëmijë.

“Ndalimi i këtyre ndihmave jetike ka lënë foshnjat dhe fëmijët e vegjël pa kujdesin shpëtues që u nevojitet urgjentisht,” thuhet në deklaratën e OBSH-së.

Kjo thirrje vjen në një moment kur situata humanitare në Gaza po konsiderohet nga organizatat ndërkombëtare si një nga më të rëndat e shekullit XXI. /mesazhi

Exit mobile version