Organizata Botërore e Shëndetësisë, ka propozuar të premten një fazë të dytë të studimeve për origjinën e koronavirusit në Kinë, duke përfshirë auditimet e laboratorëve dhe tregjeve në Vuhan.
Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, u ka prezantuar planin vendeve anëtare, pasi ka thënë se hetimet janë duke u penguar nga mungesa e të dhënave rreth ditëve të para të përhapjes së koronavirusit në Kinë.
Faza e dytë do të përfshinte kërkime në njerëz, kafshë dhe gjallesa që janë shitur në tregjet e Vuhanit, duke përfshirë edhe tregun Huanan, transmeton agjencia e lajmeve Reuters.
Në këtë fazë do të kërkohej “auditimi i laboratorëve relevantë dhe institucioneve kërkimore që veprojnë në këtë zonë, me qëllim të identifikimit të rasteve të para të infektimit në njerëz, në dhjetor të vitit 2019”, ka thënë Tedros.
Diplomatët kanë thënë se Kina, ka kundërshtuar planin në takimin me dyer të mbyllura, duke thënë se “ai nuk është bazë për studime në të ardhmen”.
Një ekip i OBSH-së ka kaluar katër javë, në dhe rreth qytetit të Vuhanit, bashkë me hetuesit kinezë, dhe së bashku shkencëtarët kanë thënë në mars, se virusi mund të jetë bartur nga lakuriqi në njerëz, përmes një kafshe tjetër.
Mirëpo vendet si Shtetet e Bashkuara dhe disa shkencëtarë tjerë, kanë kërkuar hetime shtesë, sidomos në Institutin e Vuhanit për Virologji, i cili ka qenë duke kryer hetime për lakuriqë të ndryshëm.
“Gjetja e origjinës së virusit është detyrë shkencore, e cila duhet të mbahet larg politikës. Për të ndodhur ajo, ne presim që Kina të mbështesë fazën e ardhshme të procesit shkencor, duke shpërndarë të gjitha të dhënat e nevojshme, për hir të transparencës”, ka thënë Tedros.
Kina e ka quajtur teorinë që, virusi mund të ketë dalë nga laboratori në Vuhan si “absurde”, dhe ka thënë vazhdimisht se “politizimi” i kësaj çështjeje mund të dëmtojë hetimet. /rel