Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) tha se deri më tani nuk ka prova sa i përket transmetueshmërisë së variantit të ri Omicron të koronavirusit (COVID-19), transmeton Anadolu Agency (AA).
“Nuk është ende e qartë nëse Omicron është më i transmetueshëm në krahasim me variantet e tjera, duke përfshirë variantin Delta”, thuhet në një deklaratë të organizatës.
OBSH-ja vlerëson se numri i shtuar i rasteve pozitive dhe shkalla e hospitalizimit në Afrikën e Jugut, ku varianti i ri u zbulua fillimisht dhe ku mendohet se e ka origjinën, nuk nënkuptojnë medoemos shkallë më të lartë të transmetueshmërisë apo ashpërsisë së variantit.
“Kjo mund të ndodhë për shkak të rritjes së numrit të përgjithshëm të njerëzve që infektohen dhe jo si rezultat i infektimit specifik me Omicron. Aktualisht nuk ka informacion që sugjeron që simptomat që ndërlidhen me variantin Omicron janë të ndryshëm me ato të varianteve të tjera”, tha OBSH-ja.
Duke u bazuar në informatat e kufizuara, OBSH-ja gjithashtu ka paralajmëruar njerëzit që më herët kishin pasur COVID-19 se mund të infektohen më lehtë me variantin Omicron, në krahasim me variantet e tjera shqetësuese, duke theksuar nevojën për më shumë studime të variantit në mënyrë që të kuptohet më mirë.
Organizata shtoi se përderisa studimet vijojnë për të zbuluar efektivitetin e vaksinave kundër COVID-19 dhe testeve aktuale ndaj variantit të ri, mjekimi i përdorur për trajtimin e koronavirusit akoma mund të jetë efektiv në trajtimin e variantit Omicron. /aa