Ngadalësia e fushatave të vaksinimit në vendet evropiane kundër COVID-19 është e “papranueshme” dhe rrezikon të zgjasë pandeminë, tha të enjten një zyrtar i lartë i Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Dr. Hans Kluge, drejtori rajonal i OBSH-së për Evropën, tha se vaksinat “janë rruga më e mirë për të dalë nga kjo pandemi”, por vuri në dukje se deri tani, vetëm 10% e popullsisë së Evropës ka marrë një dozë dhe se vetëm 4% janë të mbrojtur plotësisht me dy doza.
“Për sa kohë që mbulimi mbetet i ulët, ne duhet të zbatojmë të njëjtat masa shëndetësore publike dhe sociale siç kemi bërë edhe në të kaluarën, për të kompensuar për vonesat,” tha Dr. Kluge.
Madje edhe këto shifra nuk japin një tablo të qartë të përmasave të problemeve me të cilat përballen 27 vendet e Bashkimit Evropian, ku vetëm rreth 5.6% e qytetarëve të tij që kualifikohen për vaksinë e kanë bërë fazën e parë të saj, sipas bllokut. Në Britani, kjo shifër është 46% e popullsisë së saj.
Dr. Kluge paralajmëroi qeveritë evropiane që të mos krijonin “një ndjesi të rreme sigurie” lidhur me fillimin e fushatave të tyre të imunizimit. Ai vuri në dukje se Evropa mbetet rajoni i dytë më i prekur në botë për sa i përket infeksioneve të reja dhe vdekjeve nga koronavirusi.
OBSH-ja tha që infeksionet e reja me COVID-19 po rriten në çdo grup moshë përveç atyre mbi 80 vjeç, një shenjë që përpjekjet e vaksinimit po ndikojnë në ngadalësimin e shpërthimeve tek më të moshuarit. Por agjencia shëndetësore e Kombeve të Bashkuara tha se “veprimi i hershëm” për të ndaluar përhapjen e virusit duhet të ndërmerret në mungesë të niveleve të larta të imunizimit.
Franca po ndërmerr bllokime të reja në shkallë vendi për të frenuar koronavirusin. Dhoma e ulët e parlamentit miratoi masat e njoftuara të mërkurën nga qeveria e Presidentit Emmanuel Macron.
Z Macron dha për një bllokim të tretë në shkallë kombëtare dhe tha se shkollat do të mbyllen për tre javë, mes rritjes së infeksioneve që kërcënojnë të mbingarkojnë spitalet.
OBSH thotë se javën e kaluar në rajonin e Evropës që ajo mbulon kishte 1.6 milion raste të reja dhe gati 24,000 vdekje. Bashkimi Evropian me 27 vende ka numëruar mbi 612,000 vdekje të lidhura me virusin, sipas Universitetit Johns Hopkins, dhe nëse llogariten vendet Evropiane si Britania, Rusia, Zvicra dhe të tjerët, Evropa ka pasur mbi 928,000 vdekje nga viruset gjatë pandemisë.
“Situata e rajonit është më shqetësuesja prej disa muajsh,” tha Dr. Dorit Nitzan, menaxheri i urgjencës i OBSH-së në Evropë, i cili paralajmëroi njerëzit të mos udhëtonin ose të mblidheshin në grupe të mëdha gjatë festave të ardhshme fetare.
“Shumë vende po vendosin masa të reja që janë të nevojshme dhe të gjithë duhet të ndjekin sa më shumë që të munden,” tha Dr. Nitzan.
Dr. Kluge tha se mesazhi i tij për vendet evropiane ishte se “tani nuk është koha për të lehtësuar masat.” /voa