OBSH nën presion për vazhdimin e studimit për origjinën e COVID-19

Disa vende, përfshirë SHBA-në, i bënë thirrje të martën OBSH-së të vazhdojë studimin mbi origjinën e COVID-19, që ka mbetur ende e paqartë, me rastin e Asamblesë së 74-të Botërore të Shëndetësisë, që ka mbledhur 194 anëtarët e OBSH që nga e hëna.

Gjatë debateve në internet, përfaqësuesi i SHBA-së, Jeremy Konyndyk, theksoi rëndësinë e “një hetimi solid, gjithëpërfshirës dhe të udhëhequr nga ekspertët për origjinën e COVID-19”.

“Është e rëndësishme të përgatitemi që faza 2 e studimit të origjinës të jetë e suksesshme, duke besuar se analiza duhet të jetë e bazuar në shkencë dhe e pavarur”, tha ai.

Vende të tjera, përfshirë Australinë, Japoninë dhe Portugalinë, bënë një thirrje të ngjashme.

Faza e parë e studimit u krye në fillim të vitit në rajonin e Ëuhan-it, i konsideruar djepi i pandemisë, nga një bashkëpunim i ekspertëve ndërkombëtarë dhe shkencëtarët kinezë, në sfondin e dyshimit të mungesës së pavarësisë nga Pekini.

Më 29 mars, ekspertët arritën në përfundimin se transmetimi te njerëzit nga një kafshë e ndërmjetme është një hipotezë “nga e mundshme në shumë e mundshme” dhe pretenduan se një incident laboratorik, tezë kjo e mbrojtur me forcë nga ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump, mbetet “jashtëzakonisht i pamundur” /atsh