OBSH: Në Jemen 75 për qind e fëmijëve vuajnë nga kequshqyerja akute

Shtatëdhjetë e pesë për qind e fëmijëve në Jemen vuajnë nga kequshqyerja akute, njoftoi Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), raporton Anadolu Agency (AA).

OBSH njoftoi në Twitter se rreth 16,2 milionë persona, që përfaqësojnë më shumë se gjysmën e popullsisë totale të vendit, nuk kanë të siguruar ushqim.

Kombet e Bashkuara paralajmërojnë se një nga krizat më të mëdha humanitare në botë është në skenë në Jemen, me miliona njerëz jetët e të cilëve rrezikohen për shkak të urisë dhe mungesës së kushteve elementare të jetesës.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së në tetor shprehu “shqetësim serioz për situatën e vështirë humanitare në Jemen, duke përfshirë rrezikun e madh të urisë, që është përkeqësuar nga situata e vështirë ekonomike”.

Jemeni ka qenë skenë e konfliktit dhe dhunës që nga viti 2014, kur lëvizja rebele Houthi mori kontrollin e pjesës më të madhe të vendit, duke përfshirë kryeqytetin Sana. /aa