Ballina Lajmet Rajon dhe Botë OBSH: Në Gaza janë 8 mijë pacientë që duhet të evakuohen për...

OBSH: Në Gaza janë 8 mijë pacientë që duhet të evakuohen për trajtim

Zëdhënësi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) Tarik Jashareviq tha se në Gaza, e cila është nën sulmet intensive të Izraelit, gjenden 8 mijë pacientë që duhet të evakuohen për mjekim, transmeton Anadolu.

Jashareviq dhe zëdhënësi i Zyrës së OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA) Jens Larke, bënë vlerësime në konferencën javore për media të Zyrës së OKB-së në Gjenevë.

Duke treguar se spitalet në Gaza janë nën sulme, Jashareviq tha se nuk kanë qasje në spitalin Al-Shifa në veri të Rripit të Gazës ndërsa misionet e tyre të ndihmës për spitalin Amal në jug të Gazës po bllokohen.

Ai tha se në Gaza punonjësit e kujdesit shëndetësor vriten dhe shumë spitale janë nën rrethim, duke shtuar se nga 7 tetori i vitit 2023 janë regjistruar më shumë se 400 sulme ndaj qendrave shëndetësore në Gaza dhe më shumë se 600 persona kanë vdekur në këto sulme.

“Në Gaza janë 8 mijë pacientë që duhet të evakuohen për trajtim. Deri më tani nga Gaza janë evakuuar 2 mijë pacientë. Në Gaza janë 20 mijë punonjës shëndetësorë që duan të bëjnë punën e tyre, por nuk arrijnë dot në spitale. Nëse dëshironi të keni sistem shëndetësor funksional, gjëja e parë që ju nevojitet është siguria”, tha Jashareviq.

Laerke tha se nga 21 marsi e deri më sot bllokohen kamionët me ndihma të Agjencisë së OKB-së për Refugjatët Palestinezë (UNRWA) në veri të Gazës.

Ai thotë se njerëzit në veri të Gazës po përballen me vdekjen për shkak të urisë ndërsa i bëri thirrje Izraelit të ndryshojë këtë vendim.

Exit mobile version