Organizata Botërore e Shëndetësisë i ka dhënë miratimin për përdorim urgjent një vaksine kineze kundër COVID-19 për personat e moshës 18 vjeç e lart.
OBSH miratoi të martën vaksinën e prodhuar nga Sinovac Biotech, një kompani kineze biofarmaceutike. Kjo është hera e dytë që OBSH miraton përdorimin urgjent të një vaksine të prodhuar nga një kompani kineze.
OBSH tha se të dhënat e paraqitura nga Sinovac treguan se dy doza të vaksinës parandaluan shfaqjen e simptomave tek pak më shumë se gjysma e atyre që bënë vaksinën. Agjencia gjithashtu tha se nuk mund të vlerësonte efikasitetin e vaksinës tek personat mbi 60 vjeç sepse numri i pjesëmarrësve të kësaj grupmoshe në provat klinike ishte i vogël.
Vendimi i OBSH-së vendos në dispozicion një vaksinë tjetër për përdorim në vendet e varfëra përmes nismës COVAX, një program ndërkombëtar që shpërndan vaksinat në vendet në zhvillim dhe vendet e varfëra.
Por përpjekjet e shpërndarjes së vaksinës përmes programit COVAX janë ngadalësuar pasi furnizuesi i saj më i madh i vaksinave në Indi tha se ishte detyruar të ndalonte furnizimin me vaksina deri në fund të vitit për shkak të rritjes së madhe të infeksioneve në vend.
Muajin e kaluar, OBSH miratoi për përdorim emergjent një vaksinë të prodhuar nga Sinopharm, një kompani farmaceutike shtetërore kineze. Vaksinat e tjera të miratuara për përdorim emergjent nga OBSH-ja janë prodhuar nga AstraZeneca, Moderna, Johnson & Johnson dhe Pfizer-BioNTech. /voa