Ballina Lajmet Rajon dhe Botë OBSH: Mbi 3 milionë njerëz vd’esin çdo vit nga përdorimi i alk’oolit...

OBSH: Mbi 3 milionë njerëz vd’esin çdo vit nga përdorimi i alk’oolit dhe dr’ogës

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) raportoi se më shumë se 3 milionë njerëz vdesin çdo vit për shkak të përdorimit të alkoolit dhe drogës, dhe shumica e tyre janë meshkuj, transmeton Anadolu.

OBSH publikoi një raport mbi problemet shëndetësore dhe vdekjet e shkaktuara nga përdorimi i alkoolit dhe drogës.

Në raport ku përfshihen të dhënat e vitit 2019, theksohet se 2.6 milionë njerëz vdesin çdo vit për shkak të konsumit të alkoolit që korrespondon me 4,7 për qind të të gjitha vdekjeve.

Në raport thuhet se rreth 400 milionë njerëz në mbarë botën jetojnë me çrregullime të shkaktuara nga përdorimi i alkoolit dhe drogës, dhe 209 milionë prej tyre janë të varur nga alkooli.

“Megjithëse ka pasur një ulje të shkallës së vdekjeve të lidhura me alkoolin që nga viti 2010, numri i përgjithshëm i vdekjeve në lidhje me konsumimin e alkoolit mbetet jashtëzakonisht i lartë”.

Raporti theksoi se vdekjet për shkak të konsumit të alkoolit janë më të larta në vendet me të ardhura të ulëta sesa në vendet me të ardhura të larta, dhe theksoi se shkalla më e lartë e vdekjeve që i atribuohen alkoolit në vitin 2019 (13 përqind) është parë tek të rinjtë e moshës 20-39 vjeç.

– “Përdorimi i substancave rezulton në miliona vdekje çdo vit”.

Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, tha se: “Përdorimi i substancave shkakton dëm serioz në shëndetin individual, rrit rrezikun e sëmundjeve kronike dhe problemeve të shëndetit mendor dhe rezulton tragjikisht në miliona vdekje të parandalueshme çdo vit”.

Ghebreyesus theksoi nevojën urgjente për të kryer veprime të guximshme që do të reduktojnë pasojat negative shëndetësore dhe sociale të konsumit të alkoolit dhe do ta bëjnë trajtimin për çrregullimet e përdorimit të substancave të arritshëm dhe të përballueshëm, në mënyrë që të ndërtohet një shoqëri më e shëndetshme dhe më e barabartë.

Exit mobile version