OBSH lavdëron përpjekjet e Turqisë për frenimin e COVID-19

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) lavdëroi përpjekjet e Turqisë për të frenuar koronavirusin e ri (COVID-19), duke theksuar që vendi trefishoi numrin ditor të testeve që nga gushti, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Zyra Rajonale e OBSH-së për Evropën e konsideron të lavdërueshme që Turqia ka rritur kapacitetin e saj ditor të testimit që nga gushti i vitit 2020, duke e trefishuar atë në krahasim me prillin e këtij viti dhe duke përfshirë testimin e individëve asimptomatikë në përputhje me strategjinë e parandalimit dhe kontrollit pandemik”, tha Zyra e OBSH-së në Turqi në një deklarate.

“Kjo ka mundësuar që sistemi shëndetësor të arrijë më shumë njerëz, përfshirë ata që nuk shfaqin simptoma. Individëve në rrezik, rasteve të dyshuara dhe të mundshme dhe kontakteve të ngushta të personave të konfirmuar u është dhënë përparësi për testim”, shtoi OBSH.

Deklarata theksoi se testimi është një masë kritike e shëndetit publik për të kuptuar se ku gjendet COVID-19 dhe për të marrë masa për ta përmbajtur atë, veçanërisht në gjurmimin e kontakteve dhe izolimin e rasteve pozitive.

“Turqia ka izoluar të gjitha rastet pozitive me COVID-19, pavarësisht nga simptomat e tyre; kjo rekomandohet për të thyer zinxhirin e transmetimit”, thuhet më tej.

Ministri turk i Shëndetësisë, Fahrettin Koca, falënderoi OBSH-në për vlerësimin e përpjekjeve dhe strategjisë së Turqisë.

“Sot, OBSH vlerësoi strategjinë e Turqisë për të parandaluar përhapjen e virusit në një njoftim për shtyp në lidhje me raportimin e të dhënave për COVID-19 në gjithë rajonin evropian. Turqia është e gatshme të ndajë përvojën e saj në këtë drejtim. Ne gjithashtu falënderojmë Hans Kluge, Drejtorin Rajonal për Evropën”, tha Koca në Twitter.