Epidemiologia e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Maria Van Kerkhove, tha se ka qenë “shkatërruese” kur ka parë turma njerëzish pa maska, duke kënduar dhe brohoritur në finalen e kampionatit evropian të futbollit, Euro 2020.
Ndeshja midis Italisë dhe Anglisë u zhvillua të dielën mbrëma në një stadium të Londrës, në kohën kur varianti Delta i koronavirusit po shkakton rritje të infeksioneve gjetkë.
OBSH-ja zakonisht përmbahet nga vërejtjet për politikat e shteteve anëtare, por Van Kerkhove tha se pamja e mbi 60,000 spektatorëve në stadium ishte “shkatërruese”.
“A duhet të kënaqem teksa shoh transmetimin [e koronavirusit] përpara syve të mi”, shkroi Van Kerkhove në Twitter, duke shtuar se varianti Delta “do të përfitojë nga njerëzit e pavaksinuar”.
Më herët, kryeministri britanik, Boris Johnson, e ka mbrojtur vendimin për të lejuar më shumë se 60,000 njerëz të marrin pjesë në ndeshjen finale, duke thënë se ajo do të organizohet në “një mënyrë të kujdesshme dhe të kontrolluar, me testimin e të gjithëve që shkojnë atje”.
Lojtarët italianë festojnë fitoren e Euro 2020.
Globalisht, shkalla e infeksionit me koronavirus është duke u rritur.
Javën e kaluar kanë qenë mbi 2.6 milionë raste të reja; Evropa ka përjetuar rritje për 30 për qind të rasteve, ka thënë OBSH-ja në raportin e saj të fundit epidemiologjik.
Koronavirusi ka vrarë mbi katër milionë njerëz në të gjithë botën.