OBSH: Ekipi që ishte në Kinë për origjinën e virusit hasi probleme për të marrë të dhëna

Nga arkiva

Një ekip i Organizatës Botërore të Shëndetësisë që ishte në Kinë për të hetuar mbi origjinën e koronavirusit, tha se kishte hasur probleme për të marrë të dhëna, sipas kreut të agjencisë, i cili komentoi të martën pas publikimit të raportit.

Drejtori i përgjithshëm i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus bëri thirrje për studime të mëtejshme sepse vlerësimi, tha ai, deri tani, nuk ka qenë sa duhet i gjerë.

Sipas njërit prej hetuesve të ekipit, Kina nuk pranoi të jepte të dhëna të dorës së parë për rastet e hershme me COVID-19, duke komplikuar përpjekjet për të kuptuar se si filloi shpërthimi i epidemisë.

“Në diskutimet e mia me ekipin, ata shprehën vështirësitë që hasën për të marrë të dhënat e dorës së parë,” tha Tedros.

Është “plotësisht e mundur” që rastet me COVID-19 të kishin nisur të qarkullonin qysh në nëntor ose tetor 2019 rreth qytetit Wuhan, tha drejtuesi i ekipit, Peter Ben Embarek në një konferencë shtypi të martën. Kjo, tha ai, çoi në përhapjen e sëmundjes jashtë vendit më herët sesa është dokumentuar deri tani.

Përfundimi se origjina e virusit mbetet e paqartë, mund të bëjë që të vazhdojnë tensionet lidhur me mënyrën se si filloi pandemia dhe nëse Kina i ndihmoi apo i pengoi përpjekjet për ta zbuluar këtë, siç aludojnë Shtetet e Bashkuara.

“Unë pres që studimet e ardhshme bashkëpunuese të përfshijnë ndarjen e të dhënave në kohë dhe në mënyrë gjithëpërfshirëse,” tha kreu i OBSH-së.

Megjithëse ekipi arriti në përfundimin se një rrjedhje nga laboratori ishte hipoteza më pak e mundshme për virusin që shkakton COVID-19n, OBSH-ja tha se çështja kërkon hetim të mëtejshëm, ndoshta me misione të tjera.

Raporti zbulon detaje në lidhje me origjinën e virusit COVID-19. Gjasat më të mëdha janë që pandemia u transmetua nga lakuriqët e natës tek njerëzit përmes një kafshe tjetër, thuhet në raport.

Raporti arrin në përfundimin se prejardhja e virusit nga laboratori është diçka “jashtëzakonisht e pamundur”. Koronavirusi u zbulua për herë të parë në qytetin qendror të Kinës, Wuhan në fund të vitit 2019.

OBSH dërgoi një ekip ndërkombëtar në Kinë në fillim të këtij viti për të studiuar origjinën e virusit. Megjithatë kritikët e këtij studimi thonë se ai kishte kufizime për shkak të hapësirës që u lejoi qeveria e Kinës./voa