OBI dënon vrasjen e 13-vjeçarit palestinez nga ushtarët izraelitë

Organizata e Bashkëpunimit Islam (OBI) dënon martirizimin e 13-vjeçarit palestinez, Ali Ebu Aliyya nga ushtarët izraelitë në Bregun Perëndimor nën pushtim dhe përpjekjen e një koloni hebre për të djegur një kishë në Kuds, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë nga sekretaria e përgjithshme e OBI-t dënohet përpjekja e një koloni hebre për të djegur Kishën e Agonisë (Kisha e të gjitha Kombeve), në Kuds.

“Kjo është një vazhdim i sulmeve të përsëritura të Izraelit ndaj vendeve të shenjta islame dhe të krishtera”, thuhet në deklaratën në të cilën vihet në dukje se “kjo është një shkelje e ligjit ndërkombëtar humanitar dhe Konventës së Gjenevës e cila ndalon sulmet ndaj vendeve të adhurimit”.

Më tej në deklaratën ku dënohet edhe martirizimi i 13-vjeçarit Aliyya thuhet se kjo është shkelje e të drejtave të fëmijëve palestinezë të cilët garantohen nga normat ndërkombëtare.

Në një deklaratë më 4 dhjetor nga Ministria palestineze e Shëndetësisë u njoftua se ndërroi jetë, Ali Ebu Aliyya i cili ishte plagosur në bark si pasojë e zjarrit të hapur nga forcat izraelite në fshatin El-Mugayyer në afërsi të qytetit Ramallah.

Në po të njëjtën ditë dëshmitarët në vendin e ngjarjes thanë se një kolon hebre u përpoq t’i vendosë zjarrin duke hedhur benzinë ndaj disa objekteve brenda në Kishën e të gjitha Kombeve (Church of All Nations). Përpjekja për vendosjen e zjarrit u parandalua nga palestinezët.