Organi më lartë musliman denoncoi të enjten vendimin e gjykatës izraelite, i cili lejon hebrenjtë të kryejnë “adhurime të heshtura” në kompleksin e Xhamisë Al-Aksa në Kudsin e pushtuar, raporton Anadolu Agency (AA).
Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Bashkëpunimit Islam (OBI), Yousef Al-Othaimeen, në një deklaratë tha se vendimi është një provokim për muslimanët në nivel global.
“Vendime të tilla të paligjshme përbëjnë sulm të paparë ndaj të drejtave të patjetërsueshme fetare të umetit islam dhe trashëgimisë së saj, provokim ndaj ndjenjave të muslimanëve në të gjithë botën dhe shkelje të lirisë së adhurimit dhe shenjtërisë së vendeve të shenjta”, tha ai.
Ai shprehu refuzimin e organizatës së tij për “çdo masë të marrë nga pushteti pushtues, Izraeli, që ndikon në statusin e Kudsit Lindor të pushtuar dhe praninë palestineze atje ose dëmtojnë shenjtëritë islame dhe të krishtera”.
Të mërkurën, një gjykatës izraelit vendosi lidhur me një vendim të paparë se adhurimi i heshtur i hebrenjve në kompleksin e Xhamisë Al-Aksa nuk është një “akt kriminal”.
Kjo erdhi në një apel nga rabini Aryeh Lippo kundër ndalimit të policisë për vizitat e tij në vendin kritik.
Gjykatësi gjithashtu urdhëroi policinë të heqin ndalimin dhe të lejojë rabinin të kthehet në lutjen e tij atje.
Vendimi u dënua nga udhëheqësit dhe organizatat muslimane në Kuds.
Al-Othaimeen tha se masat izraelite “përbëjnë një shkelje të rëndë të ligjit ndërkombëtar, ligjit humanitar ndërkombëtar dhe rezolutave përkatëse të OKB-së”.
Ai paralajmëroi se vendime të tilla “do të çojnë në destabilizim dhe ndezin konflikte fetare në rajon” dhe e mban Izraelin “plotësisht përgjegjës për pasojat”.
Sekretari i përgjithshëm i OBI-t u bëri thirrje aktorëve ndërkombëtarë të ndërhyjnë për të ruajtur statusin historik dhe juridik të Al-Aksës dhe për të lehtësuar përpjekjet për të arritur një zgjidhje me dy shtete midis palestinezëve dhe izraelitëve.
Vendimi i së mërkurës ishte i pari nga një gjykatë izraelite që mbështeti adhurimin hebraik në kompleksin e Xhamisë Al-Aksa.
Kohët e fundit, kolonët izraelitë filluan të kryejnë “adhurime të heshtura” gjatë vizitave të tyre në vend.
Vendimi u mirëprit nga avokati izraelit i krahut të djathtë Moshe Polsky.
Zakonisht, kolonët izraelitë sulmojnë kompleksin e Xhamisë Al-Aksa çdo ditë në mëngjes dhe pasdite përmes Portës së saj Al Mughrabi, në jugperëndim të xhamisë.
Policia izraelite filloi lejimin e inkursioneve të kolonëve në vitin 2003, pavarësisht dënimeve të përsëritura nga Departamenti i Vakëfit Islam.
Xhamia Al-Aksa është vendi i tretë më i shenjtë në botë për muslimanët. Hebrenjtë e quajnë zonën “Mali i Tempullit”, duke pretenduar se aty në kohët e lashta ishin dy tempuj hebrenj. /aa