Ballina Artikuj O Zot, mos e lër fenë pa kulturë.

O Zot, mos e lër fenë pa kulturë.

Hoxhë Vladimir Kera

Në lexojmë mbi historinë dhe zhvillimin e shoqërive fetare, vihet re një dukuri që përsëritet me intensitet të lartë në periudhat e tranzicionit: sa më i thellë të jetë ky tranzicion, aq më e theksuar bëhet armiqësia ndaj çdo gjëje që mishëron trashëgimi, art, kulturë dhe traditë.
Kjo nuk është vetëm një krizë sociale apo politike, por një krizë shpirtërore dhe mendore.
Taha Abderrahmani, në veprën e tij “Ruh al-Hadathe” (Shpirti i Modernitetit), thekson se moderniteti, si projekt global dominues, i ka imponuar shoqërive myslimane një mënyrë të të jetuarit dhe të të menduarit që është e shkëputur nga morali i shpirtit dhe nga rrënjët e trashëgimisë etike.
Në këtë kuptim, tranzicioni nuk është vetëm një kalim teknik drejt një forme tjetër të jetesës, por një shpërputhje e thellë me traditën si burim jete dhe reflektimi.
Kjo krizë shfaqet në mënyrë të veçantë në elitën fetare të kohës. Në vend që të jenë mbartës të traditës së mendimit dhe të kulturës së fesë, ata shpesh bëhen eksponentë të një feje pa rrënjë, të një “teknologjie fetare” që ofron fetva të menjëhershme, të zbrazëta nga çdo horizont historik, etik dhe estetik. Siç edhe Taha Abderrahmani vëren se mendimi fetar i kësaj epoke bie në “teknicizëm etik” – pra në një praktikë që ndjek rregulla të jashtme, por e harron thelbin shpirtëror dhe etik të fesë. (Ruh al-Hadatha, fq. 112–117)
Kështu, shoqëria në tranzicion e përjashton veten nga mundësia për të jetuar fenë si përvojë kulturore dhe reflektuese. Feja reduktohet në një aparat rregullash dhe mendimi i klerikut shndërrohet në autoritet që matet me shpejtësinë e përgjigjes, jo me thellësinë e urtësisë. Tradita nuk shihet më si urë, por si pengesë. Kultura nuk perceptohet si frymë që ushqen fenë, por si rrezik që e përlyen atë.
Në këtë realitet, diskursi fetar bëhet gjithnjë e më i fragmentuar dhe i rrëshqitshëm: feja sot për sot, fetva për tani, vendimi për momentin – pa marrë parasysh kulturën e traditës së mendimit, pa një histori të konceptimit të të vërtetës dhe pa një rrjet kuptimesh të ndërlidhura që formojnë kulturën islame. Pra aftësisë që fjala fetare të ketë rrënjë në etikën e shpirtit, në përvojën e frymëzuar dhe në kujtesën e gjallë të komunitetit.
Në këtë kontekst, feja rrezikon të kthehet në formë pa përmbajtje, në histori pa trashëgimi, në fetva pa arsyetim dhe në arsyetim pa strukturë mendimi. Do të lindin klerikë që e shohin veten si pika fillestare të fesë, që e lexojnë të shenjtën përmes pamendësisë së vetvetes, dhe që harrojnë se feja nuk është pronë personale, por udhë e përbashkët, e ndërtuar mbi durim, dije dhe rrënjë të thella.
Prandaj për të rikthyer dinjitetin e mendimit fetar, duhet të rifitojmë “kulturën e shpirtit”, që është e lidhur pazgjidhshmërisht me traditën, gjuhën, estetikën dhe përvojën morale. Pa këtë, feja mbetet një zhveshje e zbrazët – një zë pa shpirtë, një formë pa jetë.

Hoxhë Vladimir Kera

Exit mobile version